Shkëndija e Tetovës vazhdon të shkëlqejë në arenën europiane. Skuadra kuqezi, nën drejtimin e trajnerit Jeton Beqiri, ka arritur një fitore të rëndësishme 1:0 ndaj gjigandit rumun, Steaua e Bukureshtit, në ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminator të Ligës së Kampionëve.
Pjesa e parë e takimit u karakterizua nga dominimi i tetovarëve, të cilët krijuan disa raste të rrezikshme për shënim, por pa arritur të gjejnë rrjetën, duke e mbyllur 45 minutëshin e parë pa gola.
Në pjesën e dytë, Shkëndija vazhdoi me të njëjtin intensitet dhe përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 65-të, kur Alhassan realizoi me kokë, duke i dhënë epërsinë skuadrës vendase. Deri në fund të takimit, Shkëndija vazhdoi të kërkojë golin e dytë, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë fitore minimale, Shkëndija siguron një avantazh të vlefshëm përpara ndeshjes së kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Bukuresht. /SHENJA/