Shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë dukshëm është rritur pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, vlerësuan presidentët e Republikës së Maqedonisë dhe të Bullgarisë Gjorge Ivanov dhe Rumen Radev pas takimit të djeshëm në Shkup me përfaqësuesit e odave ekonomike të të dy vendeve.
Ata porositën se Maqedonia dhe Bullgaria duhet të kenë bashkëpunim më të suksesshëm të biznesit, infrastrukturë më të mirë, më shumë projekte, shkëmbim më të madh të mallrave dhe të njerëzve dhe komunikim më të mirë në të gjitha nivelet.
Ivanovi theksoi se besimi midis dy vendeve është në nivel të lartë, ndërsa është në dobi të Maqedonisë, sepse ndodh në kohën kur Bullgaria kryeson me Këshillin Evropian.
Presidenti bullgar potencoi se është shumë me rëndësi që sa më shpejt Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa investimet e huaja duhet të vijnë në çdo mjedis, me siguri më të vogël apo më të madhe.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë në vitin 2017 ka qenë 664 milionë dollarë që është rritje prej 19,3 për qind në krahasim me vitin paraprak.
Në takimin me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin, Radev e përshëndeti ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë si akt të rëndësishëm politik dhe të sjelljes shtetërore dhe theksoi se përkrahja e aktiviteteve të zbatimit të saj duhet të shënojë vazhdimësi edhe në të ardhmen.
Xhaferi, theksoi se veçanërisht i gëzohet përkrahjes së Republikës së Bullgarisë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE./Medial.mk