Gjatë vizitës së Parlamentit të Republikës së Sllovenisë në Lubjanë, në kuadër të Programit të Mbështetjes Parlamentare, sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm, Nikolla Gjoshevski, zhvilluan një sërë takimesh pune me përfaqësues të Parlamentit Slloven.
Në takimin me shefen e Sektorit të Legjislacionit, Natasha Vorshiq, dhe sekretarin e Departamentit për Përgatitjen dhe Mbajtjen e Seancave, Jure Kozhuh, u diskutua roli dhe përgjegjësitë e Shërbimit Juridik Ligjvënës, verifikimi i përputhshmërisë së propozim-ligjeve me Kushtetutën, marrëveshjet ndërkombëtare dhe legjislacioni evropian, si dhe funksionimi i kalendarit për seancat plenare dhe planifikimi i punës së Kuvendit në bazë vjetore. U shkëmbyen përvoja dhe u diskutuan mundësitë për bashkëpunim përmes vizitave studimore dhe trajnimeve profesionale.
Gjatë takimit me shefin e Sektorit të Zhvillimit të Sistemeve të Informacionit, Matjazh Zdravec, dhe anetaren në Zyrën e Sekretares së Përgjithshme, Vojka Vuk Dirnbek, u prezantuan praktikat që lidhen me transformimin digjital të parlamentit, zbatimin e sistemeve të menaxhimit të dokumenteve, integrimin e inteligjencës artificiale në proceset parlamentare dhe sigurimin e sigurisë kibernetike të infrastrukturës së TIK-së. Delegacioni pati mundësinë të shihte se si funksionojnë në praktikë mjetet digjitale në dispozicion të Parlamentit Slloven.
Me sekretarin e Komisionit për Çështjet Evropiane, dr. Zvone Bergant, u diskutuan çështjet që lidhen me rolin e komisionit në përafrimin e legjislacionit kombëtar me ligjin e Bashkimit Evropian, si dhe mekanizmat për monitorimin e përputhshmërisë dhe zbatimin e standardeve evropiane. U ndanë përvoja në lidhje me praktikën e Parlamentit që të ketë një përfaqësues nga Shërbimi në Parlamentin Evropian, përmes të cilit pozicioni i shtetit mund të forcohet ndjeshëm me ndihmën e diplomacisë parlamentare.
Këto takime janë kontribut i rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e praktikave të mira midis parlamenteve të të dy vendeve, veçanërisht në kontekstin e digjitalizimit të punës parlamentare, proceseve të reformës dhe rolit të parlamenteve në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.