Pas daljes nga komisioni hetimor për CEZ Shkëlzen Berisha tha për mediat se ai nuk ka ndërmend të dëshmojë nëse komisioni do të drejtohet nga Taulant Balla. Ai ka mohuar të ketë lidhje me Nuel Kalaj dhe Kastriot Ismailaj.
“Personi që e drejton këtë Komision, siç ju e dini shumë mirë është një i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Tiranës për shpifje ndaj personit tim. Jo vetëm është dënuar por refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës. Tani më thoni, nga të gjithë këta deputetë që ka parlamenti, pse ky Komision duhet të drejtohet nga ai që është në konflikt të hapur interesi dhe është dënuar për shpifje ndaj meje. Unë nuk pranoj të bëj një betim para një njeriu të dënuar për shpifje. Zotëria mund të çohej dhe t’ia lironte vendin një nga kolegëve të tij, nuk deshi sepse nuk është i interesuar për të vërtetën por për interesin politik.
Kam bërë disa deklarata publike që ezaurojnë përtej çdo dyshimi faktin që unë as me zotin Kalaj as me zotin Ismaili nuk kam asnjë lidhje, as me aktivitetet e tyre dhe as punën e Komisionit. Nëse zotin Kalaj nuk e thërrasin se nuk e gjejnë dot, po zotin Ismailaj pse nuk e thërrasin në Komision, nuk e gjejnë dot se ku është?” tha ai.
1 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)