Reshjet intensive të shiut gjatë natës kanë shuar përfundimisht vatrat e zjarrit që kishin përfshirë prej ditësh territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz. Flakët, që kishin krijuar shqetësim serioz në zonat e Lumit të Trunit, Kulumrit dhe pyjeve të Kryeziut, u neutralizuan falë rrebesheve të natës.
Megjithatë, situata e trashëguar mbetet e rëndë: vetëm në zonën pyjore Sakat – Laku i Hithit janë djegur rreth 60 hektarë pyje, ndërsa 130 hektarë të tjerë janë dëmtuar nga flakët. Në Kryezi, zjarri ka shkrumbuar 7 hektarë pyje me pisha, duke lënë pas pasoja të rënda për florën dhe faunën vendore.
Autoritetet lokale pritet të bëjnë një vlerësim më të plotë të dëmeve në ditët në vijim, ndërsa komuniteti përballet me pasojat e një katastrofe mjedisore që mund të kishte qenë edhe më e rëndë, në mungesë të reshjeve.