Policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Split”, duke vënë në pranga një 21-vjeçar të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në doza. I arrestuari është shtetasi F. L., banues në Korçë, i cili u kap në flagrancë në lagjen nr. 8 teksa shpërndante doza kanabisi. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën sasi të ndara të drogës, gati për shitje.
Po ashtu, në kuadër të të njëjtit operacion, është proceduar penalisht shtetasi M. K., 29 vjeç, i cili u kap në flagrancë me doza kanabisi që dyshohet se i kishte blerë 21-vjeçarit.
Policia sekuestroi si provë materiale dozat e drogës, një celular dhe një shumë parash të dyshuar si të përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Korçës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.