LSDM po punon në gjetjen e zgjidhjes e cila do të sjellë formim të shpejtë dhe efikas të Qeverisë, e cila do ti tejkaloj problemet në Maqedoni, ka thënë zëdhënësi i kësaj partie Petre Shilegov, një ditë pas takimit të liderëve me presidentin Gjorgje Ivanov. Në konferencën e sotme, LSDM ka akuzuar poashtu Ivanovin se ka shkelur Kushtetutën.
“Kemi thënë se Gjorge Ivanov e ka shkel Kushtetutën dhe ligjet dhe për këtë ai ka përgjegjësi. Ivanov nuk ka të drejtë politikisht të diskriminoj. Ivanov ja dha mandatin Nikolla Gruevskit pa i kërkuar nënshkrim prej 61 deputetëve dhe pa vendosur kushte për programin. Që këtu, ai nuk ka të drejtë ta kërkoj këtë nga kryetari Zaev. Kjo shkelje e Kushtetutës nuk duhet lejuar ndërsa duhet përgjigjur për këtë shkelje. Me sjelljen e tij Ivanov në këtë rast, si dhe në rastin me abolimin, qartë po vendoset në mbrojtje të krimit të Nikolla Gruevskit. Me këtë Ivanov po vë në rrezik qytetarët dhe shtetin”, deklaroi Shilegov.
Në BDI sot mbizotëronte heshtje, por burime jozyrtare njoftojnë se kjo parti ka vazhduar si me konsultimet brenda organeve partiake, ashtu edhe me partitë maqedonase. Nga BDI zyrtarisht nuk ka përgjigje, ndërsa jozyrtarisht mësohet se kjo parti është në kontakte edhe me VMRO-DPMNE-në edhe me LSDM-në.
Dy koalicionet e tjera shqiptare, koalicioni Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët poashtu nuk kanë dhënë asnjë hollësi nëse kanë ndërmarë ndonjë veprim gjatë ditës së sotëm, por nga Lëvizja Besa edhe një ditë para takimit me Ivanovin, njoftuan se janë të gatshëm që nga jashtë të mbështesin LSDM-në për të marë mandatin pa marë parasyshë nëse më pas do të jenë ose jo pjesë e Qeverisë.
Ky vendim siç sqaruan nga Besa ndërmeret me qëllim që VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski përfundimisht të shkojnë në opozitë. Ndryshe me vendimin e djeshëm të presidentit Ivanov, VMRO-DPMNE-së i jepet edhe një mundësi për formimin e Qeverisë ashtu si edhe LSDM-së. Liderët e partive duhet të sigurojnë shumicën prej 61 votave në Kuvend dhe të dërgojnë për këtë dëshmi në presidencë që më pas të marin mandatin.
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev u shpreh mbrëmë i bindur se ai do të drejtojë Qeverinë e ardhëshme, por tha se është i interesuar që të ketë shumicë të zgjëruar jo vetëm me 61 deputetë. Ndërkaq kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, doli nga takimi duke mos bërë asnjë prononcim dhe duke evituar gazetarët dhe kamerat televizive. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se tani çelësin për formimin e Qeverisë ja ka hedhur kreut të shtetit, Gjorgji Ivanov, të cilin e takoi për herë të parë në mandatin e tij të dytë, pasi deri më tani nuk e njihte të njëjtin si president të vendit.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Shilegov: Ivanov po bën diskriminim politik by tvshenjaofficial

