Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësim serioz për vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit në Shkup nga prilli i vitit 2025, me të cilat janë refuzuar ankesat e gazetarëve të sulmuar gjatë dhunës në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill 2017.
“Kjo datë mbetet e njohur si dita kur brutalisht u shkelën të drejtat e gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Në vend që të konfirmohet se sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë të papranueshme, gjykata dërgon një mesazh se vepra të tilla mund të kalojnë pa ndëshkim. Këto vendime minojnë të drejtën për gazetari të lirë dhe të sigurt”, thuhet në komunikatë.
SHGM gjithashtu vë në pah qëndrimet kontroverse në arsyetimin e gjykatës, ku thuhet se “liria e shprehjes” nuk vlen në situata me dhunë. Ky qëndrim është në kundërshtim me tre vendime të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me Kushtetutën e shtetit. Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur një herë që një interpretim i tillë është i gabuar dhe cenon të drejtën e shprehjes.
SHGM konsideron se është veçanërisht problematike që gjykata minimizon detyrimin e shtetit për të mbrojtur gazetarët, duke sugjeruar se kjo mbrojtje nuk duhet të jetë një “barrë e madhe” për institucionet. Ky qasje lë përshtypjen se institucionet janë më të shqetësuara për komoditetin e tyre sesa për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.
“Edhe pse vendimet konkrete të Gjykatës Kushtetuese kanë të bëjnë me një rast tjetër, ato janë përfundimtare, detyruese dhe vlejnë për të gjitha institucionet – përfshirë edhe Gjykatën e Apelit. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve është një goditje serioze për sundimin e ligjit”, thonë në SHGM.
Vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit në Shkup kanë të bëjnë me kolegët Natasha Stojanovska, Biljana Nikollovska, Igor Jankovski dhe Tome Angellovski – gazetarë të cilët edhe pas tetë vitesh presin drejtësi. Këto vendime tregojnë se mbrojtja ligjore e gazetarëve vazhdon të jetë e dobët, ndërsa mosndëshkimi i dhunuesve krijon frikë dhe pasiguri te të gjithë ata që çdo ditë raportojnë për çështje me interes publik.
SHGM apelon tek gjykatat dhe institucionet e tjera kompetente që t’i rishqyrtojnë këto vendime dhe të sigurojnë që gazetarët të marrin mbrojtje të duhur ligjore. Sulmi ndaj një gazetari është sulm ndaj demokracisë – dhe çdo akt i tillë duhet të hetohet dhe të ndëshkohet.
SHGM do të vazhdojë ta ndjekë me vëmendje zhvillimin e këtyre rasteve dhe do të angazhohet për drejtësi të plotë për të gjithë gazetarët viktima të dhunës.