Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka shprehur sot shqetësimin dhe dënon çdo formë të komunikimit të pahijshëm ose presionit publik ndaj gazetarit Sërgjan Stojançov nga TV Telma, i cili raportonte për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive.
Gazetari Stojançov është ankuar se një profil i quajtur Faik Demiri, ka shprehur pakënaqësi për temën e trajtuar në një gjuhë tejet fyese dhe të papërshtatshme.
Reagimi i plotë i SHGM-së:
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësimin dhe dënon çdo formë të komunikimit të pahijshëm ose presionit publik ndaj gazetarit Sërgjan Stojançov nga TV Tellma, i cili raportonte për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive.
Komunikimi i pahijshëm dhe grupor erdhi pas publikimit të artikullit “Përpjekja e dytë për funksion për Verzivolin dhe një këshilltare lokale kandidate për Këshillin e ASHMAAV-së” në faqen e internetit të TV Tellma, ku një profil i quajtur Faik Demiri shprehu pakënaqësi për temën e trajtuar në një gjuhë tejet fyese dhe të papërshtatshme.
Sipas kolegut Stojançov, i cili sot informoi SHGM-në, në rrjetet sociale ka marrë komente fyese dhe thellësisht përçmuese nga të afërm të ngushtë të kandidatëve potencialë për funksionarë publikë që pretendojnë të jenë anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, organit kryesor për rregullimin e mediave në vend.
Çdo formë presioni, fyerjeje ose përçmimi ndaj gazetarëve, veçanërisht kur bëhet nga persona publikë ose funksionarë, përbën një sulm ndaj lirisë së mediave dhe demokracisë.
Gazetarët kanë të drejtën dhe detyrën të raportojnë për çështje me interes publik, sidomos kur ato lidhen me emërimin e funksionarëve publikë ose vendime që ndikojnë në publikun dhe mjedisin mediatik në vend. Puna e tyre duhet të mbrohet nga presione dhe kërcënime që mund të ndikojnë në lirinë e shprehjes dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
SHGM mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së mediave dhe do të vazhdojë të ndjekë të gjitha përpjekjet për presion ose manipulime të drejtuara ndaj gazetarëve.
SHGM: Pengimi i punës së gazetarëve është i papranueshëm
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon sjelljen joprofesionale dhe të pahijshme të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, i cili sot ka penguar gazetaren e medias online, portali Sakamdakazam.mk, Sonja Delevska, gjatë ushtrimit të detyrës së saj profesionale në Kuvend.
Siç raportohet në shkresën e dërguar deri tek SHGM, gazetarja Delevska po kryente detyrën e saj profesionale duke i drejtuar pyetje legjitime drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski. Ndërsa Hristovski po i përgjigjej pyetjeve të Delevskës lidhur me certifikatën e tij për gjuhën angleze, deputeti Kovaçki iu drejtua me fjalët: “fike mikrofonin, po regjistron,” duke treguar nga telefoni i saj. Delevska i ofroi telefonin e saj deputetit, por ai refuzoi ta merrte dhe thirri Hristovskin që të largohej.
Ne ju bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të tregojnë një nivel të duhur respekti dhe qasje konstruktive ndaj mediave dhe përfaqësuesve të tyre, të përgjigjen rregullisht ndaj pyetjeve të tyre, dhe të përmbahen nga çdo formë presioni apo shpifjeje.
Kujtojmë se liria e mediave dhe e drejta e gazetarëve për të bërë pyetje janë parime themelore të një shoqërie demokratike. Çdo përpjekje për të penguar, frikësuar ose diskredituar gazetarët përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe transparencës së institucioneve.
SHGM do të vazhdojë të monitorojë nga afër gjendjen e të drejtave të punonjësve të medias dhe të angazhohet për mbrojtjen e standardeve profesionale gazetareske.