Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon ashpër sulmin fizik i cili ka ndodhur sot, ndaj ekipit gazetaresk të televizionit ALSAT-M, i cili po raportonte për zjarrin e madh në deponinë ilegale në Vizbeg.
Sipas informacioneve nga kolegët, gazetari Avni Tahiri dhe kameramani Shenoll Hajredini janë sulmuar fizikisht nga një person, pronar i mbeturinave për të cilat dyshohet se kanë shkaktuar zjarrin. Sulmuesi ia ka marrë me forcë telefonin gazetarit Tahiri dhe e ka hedhur në zjarr, ndërsa kameramani Shenoll Hajredini gjithashtu është sulmuar dhe kamera e tij është dëmtuar. Personi në fjalë është arrestuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe rasti është paraqitur në MPB.
SHGM është në komunikim me pikat kontaktuese në MPB dhe Prokurorinë Themelore Publike për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të mediave.
Kujtojmë se me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, çdo sulm ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale konsiderohet vepër penale serioze për të cilën parashikohen dënime ligjore.