Regjisori Sulejman Rushiti rikthehet në skenë me shfaqjen teatrale “G”, premiera e së cilës u shfaq të mërkurën në mbrëmje në Teatrin e Komedisë, në Shkup, aktorët e Tetarit Shqiptar luajtën dramën, bazuar në veprën e Gjergj Fishtës “Gomari i Babatasit”, shkruan Almakos.
Kjo shfaqje e interpretuar nga aktorët e Teatrit Shqiptar të Shkupit u prit ngrohtë nga publiku. Me regji dhe dramatizim të Rushitit, skenografi dhe kostumografi të konceptuar prej tij.
Premiera “G” erdhi si një lexim reversibil i vargjeve satirike të Fishtës. Më të vecantë e bënë transformimi dhe loja e aktorëve Adem Karaga, Vjollca Bekteshi Hamiti, Aida Elezi, Blerim Dardhishta, Fisnik Zeqiri, Genci Mirzo, Dritëro Ame dhe Visar Etemi dhe muzika nga Pasionare Asllanaj. Puna për realizmin e shfaqjes ka qenë një proces i vështirë për aktorët që duhej të gërshtonin edhe elementin muzikor brenda rolit, por edhe për vetë kushtet ku u zhvilluan provat dhe vetë premiera.
Mesazhi i dramës është fshikullues, jo vetëm për vitet kur u shkrua, por edhe për realitetin ku gjendet shoqëria shqiptare sot. Kjo është premiera e dytë e Teatrit Shqiptar dhe njëherazi me të është shënuar 67 vjetori i themelimit të institucionit.
Regjisori, Sulejman Rushiti, tha se me vënien në skenë të veprave të Fishtës tenton të përmirësojë dukuritë negative në shoqërinë tonë, të cilat fatkeqësitë vazhdojnë të na ndjekin edhe sot e kësaj ditë.
“Kur morra e lexova të gjithë veprën satirike dhe në atë moment u rrëqetha dhe pyeta veten a ka qenë Fishta kaq gjenial që i ka parashikuar fenomenet të cilat sot e kësaj ditë ne na ndjekin, apo ne nuk kemi arritur këto fenomene negative t’i shmangim nga shoqëria dhe përditshmëria jonë”, -tha regjisori, Sulejman Rushiti.
D.K
Almakos.com

