26 May
Reshjet e shiut nxorrën në pah defektet në projektin “Sheshin Skënderbeu” I cili një kohë të gjatë është në realizim. Në pjesën më të madhe të sheshit janë krijuar liqene në miniaturë nga sasia e grumbulluar e shiut që nuk depërton në pusetet “e padukshme”. Midis pllakave tashmë ka mbirë bar. Ulëset janë të thyera, shportat të rrënuara, ndërsa ashensori i shkatërruar. Kabllot e ventilatorëve nën shi. Uji nga sheshi rrjedh mbi vendkalimin e veturave. Projektuesi, Betim Zeqiri sqaron se problemet do të evitohen kur projekti të përfundojë, pasi atëherë do të fillojë edhe mirëmbajtja e rregulltë.
Sistemi për derinazhim i cili është përdorur këtu është i sofistikuar. Ka puseta, por ato nuk shihen në sipërfaqe. Mirëpo kur kemi sasira të mëdha të shiut, si tani, vie deri tek mbledhja e ujit në sipërfaqe. Ky problem mund të menjanohet me përfundimin e fazës së dytë kur i gjithë sistemi do të përfshihet. Atëherë do të ketë një sistem më të rregulltë të menaxhimit ose mirëmbajtjes së sistemit të derinazhimit. Besoj që me përfundimin e këtij sistemi nuk do të ketë rrjedhje në pjesën e poshtme të bulevardit- tha projektuesi Betim Zeqiri.
Mirëpo arkitekti, Mirosllav Gërçev vlerëson se “Sheshi Skënderbe” që sipas tij, nuk është shesh, është bërë më shumë për qëllime politike sesa për qytetarët.
Është bërë lëshim në ndonjë nga fazat: ose në dokumentin projektues ose në mbikqyrjen ose në ndërtim. Bëhet fjalë për një lloj të keqpërdorimit të panevojshëm dhe madje kriminal të parave shtetërore në objekte që kanë vetëm funksion të marketingut politik dhe nuk kanë për qëllim t’iu shërbejnë qytetarëve. Pse do të ngjitej njeriu në terasë në të cilën gjatë dimrit fryen dhe ka të rreshura, ndërsa në verë të djeg dielli?!- tha arkitekti Mirosllav Gërçev.
Sheshi Skënderbeu ishte paraparë që të ndërtohet në tre faza, me një kosto të përgjithshme prej rreth 10 milionë eurove. Faza e parë u përfundua në vitin 2013, në fazën e dytë që ka filluar vitin e kaluar parashikohet ndërtimi i një tarrace në formë mbikalimi pranë Skënderbeut, ndërsa faza e tretë e projektit për të cilën ende nuk kanë filluar punimet, parasheh ndërtimin e parkingut nëntokësor. Afati i parë për përmbylljen e punimeve ishte viti 2014, por i njëjti u shkel.
Anesa Aliti

