Shkroi: Burhanettin KAPUSUZOĞLU
Në “Dyzet Net” shpjegoi fjalën e t’Lartit Perëndi,
Dhuratë për njerëzit u bë, Shejh Abdulmetin Izeti.
Nihani
Nuk ka dyshim se zotërinjtë e botës janë mjeshtrat e shpirtit, të cilët depërtojnë zemrat, mbjellin përkushtim dhe ndezin dritën e arsyes sonë. Duke qenë se ata janë ushqyer në mësonjtoren e edebit, irfanit, urtisë dhe dashurisë së Zotit të Botërave, ata janë kollona të nënqiejve dhe shtylla kuptimore të shoqërive përkatëse. Falë tyre, njerëzimi ruhet nga kalbja dhe vazhdon të ecë në rrugën e drejtë. Zoti na ruajt edhe nëse fillon prishja për shkak të natyrës njerëzore, falë duarve të tyre të shkathëta dhe të zellshme, si ato të mjekëve ekspertë, vjen agimi dhe dita nis të ndriçojë. Sepse ata janë njerëz të përpjekur e të përsosur, të lumtur, me besim të sinqertë, të veshur me petkun e përpjekjes dhe të përulur ndaj një norme të shenjtë dhe të vetme. Ata janë dijetarë, urtarë dhe ashikë… janë arkitektë të arrirë që vendosin gurin e themelit të fortesës së të ardhmes shoqërore. Mjeshtëria e artit të tyre është përhapja e Fjalës së Zotit, largimi i errësirës dhe mbjellja e dashurisë me qëllimin për të ofruar një shije të plotnisë. Ata janë të ngarkuar me misionin për të ndërtuar shpirtërinë e çdo vendi në të cilin kalojnë. Të kthejnë në pallat çdo gërmadhë.
Një personalitet i tillë, i plotë, ndodhet në Ballkan, në Rumeli… Studiuesi i nderuar, Efendiu, Profesor Dr. Metin İzeti, është një kapiten i vërtetë i detit të urtisë, me një përkushtim të palëkundur. Në fakt, ai është një ndër emrat më të rëndësishëm të mendimit modern islam në Ballkan. I rritur në Tetovë, në Maqedoninë e Veriut, në zemër të Rumelisë, ai është mendimtari më i rëndësishëm sufi i gjallë i cili kombinon traditën me disiplinën akademike moderne. Puna e tij shkencore përfaqëson një riinterpretim të trashëgimisë Islame ballkanike në një gjuhë universale, në kryqëzimin e teologjisë, filozofisë, artit dhe sufizmit.
Së pari duhet të theksoj këtë: fjalët e mia për Prof. İzetin në këtë shkrim të shkurtër nuk duhet të konsiderohen si një respekt i ekzagjeruar. Mësuesi ynë i nderuar, krahas shërbimeve dhe veprave të tij të shumta, po bën për herë të parë tërë komentimin e Kur’anit në gjuhën shqipe. Aktualisht, me përpjekjet e Prof. Dr. Adnan İsmaili, janë botuar trembëdhjetë vëllime të këtij komentimi… Në respekt të këtij Komenti të nderuar, fjalët tona të mos konsiderohen si të tepërta.
Një Diskurs i Urtë në horizontin e qytetërimit
Prof. Metin Izeti është trashëgimtari dhe interpretuesi i njohjes së thellë në Rumeli. Ndërsa përfaqëson trashëgiminë, ai është i pavarur nga ideologjitë. Ai flet dhe shkruan duke ndërthurur artikulimin gjuhësor me përvojën jetësore, pa prapavijë ideologjike dhe tendencioze. Në diskursin e tij mbizotëron ideja se koncepti i Islamit në Ballkan nuk është një doktrinë e ftohtë, por një mënyrë estetike e të jetuarit.
Në Ballkan, Islami dhe qytetërimi i zhvilluar mbi të janë unikalë, pasiqë aty ndërthuret përvoja qytetërimore shumëshekullore me rrugët tregtare ndërkombëtare, të cilat sollën shkëmbime të thella kulturore, së bashku me strukturat shoqërore si teqetë, xhamitë, hanet, karvansarejet, tregjet. Aty gjendet një sistem vlerash që ndërton përvojën e bashkëjetesës së kulturave të ndryshme, duke e udhëhequr shoqërinë drejt së mirës.
Në këtë kuadër, veçanërisht përmes tarikateve Halveti, Kadiri-Rifai, Nakshibendi, Bektashi dhe Mevlevi, që janë akademi shpirtërore të kulturës së frymëzuar nga tasavvufi, kjo trevë u shndërrua në një ishull të vërtetë paqeje. Mirëpo, ai që i paraqiti këto çështje si një studim serioz nën titullin Tasavvufi në Ballkan ka qenë pikërisht mësuesi ynë i nderuar.
“Zoti është i bukur dhe e do bukurinë!” Arti, i manifestuar në këtë parim dhe metafizika që i jep jetë, kanë çuar në një kuptim estetik të fesë. Prandaj, qytetërimi islam është një qytetërim i të bukurës. Qytetërimi ynë ka përcjellë një urtësi shumë të lartë kur është shprehur se arti është një buqetë plot hir dhe finesë që mundëson bashkimin me Zotin. Nga tingulli te fjala, nga veshja te artizanatet dhe hapësira… çdo degë e artit përmban një sekret hyjnor. Sepse, siç thonë njohësit e thellë: “Kur vjen dashuria, të gjitha mangësitë zhduken!”- duke vënë në pah forcën lëvizëse themelore të ekzistencës.
Duke u nisur prej kësaj fjalie, mund të thuhet se njeriu nuk mund t’ çelë dyert e plotnisë pa zotëruar një qasje artistike estetike. Për këtë arsye, “të jesh mysliman do të thotë të jesh njeri i rafinuar!”
Profesor İzeti shquhet si një urë lidhëse midis modernitetit dhe traditës, duke ofruar një përvojë të rafinuar që ushqen zemrën dhe shëron shpirtin. Fjalët, veprat dhe reputacioni i tij zbulojnë se ai e sheh traditën jo si një relike të së kaluarës, por si një forcë të fuqishme që formëson të tashmen.
Do të ishte e përshtatshme ta shihnim veprën e mjeshtrit si një thesar dijesh dhe mençurie, që pasqyron thellësinë e tij akademike. Ndërsa analizon sufizmin përmes themeleve të tij filozofike dhe socio-psikologjike, ai ofron përgjigje të thella për kërkimin e kuptimit të gjeneratave bashkëkohore. Për më tepër, prezantimi i tij i parimit të Islamit “unitet në diversitet” – pra njëshmëri në shumësi – si çelësi i paqes sociale në gjeografinë multikulturore të Ballkanit është një qasje vërtet e lavdërueshme.
Në qendër të botës së mendimit të Metin Efendiut, i cili parashtron se disiplina në rrugën e njohjes së Zotit realizon njeriun e përsosur, qëndron koncepti i njeriut si mëkëmbës i Zotit (halife) në tre dimensionet e tij të zemrës, perceptimit dhe ndërgjegjes. Nga kjo perspektivë, këtu ai shpalos një ekuilibër harmonik midis materies, domethënë teknologjisë dhe botës dhe kuptimit, domethënë shpirtit. Qytetërimi islam, nga vetë natyra e tij, është formësuar nga të gjitha këto vlera. Si një dijetar i respektuar dhe mendimtar i mprehtë, e gjithë përpjekja e tij është e drejtuar drejt një ringjalljeje të vërtetë. Sepse në zemrën e tij ka rrahu mendimi se “E djeshmja ishte dje dhe ka kaluar. Tashmë ka nevojë të thuhen gjëra të reja!”
Morali i bukur, drejtësia dhe dashuria janë artikulime të njohjes së tij të thellë. Ai nuk përdor gjuhë akademike të ftohtë dhe artificiale. Thelbi qëndron te prekja e zemrës. Lidhur me këtë, ndërsa ofron dituri, ai është në të njejtën kohë një udhëzues. Nëse dikush do të më pyeste për imazhin estetik të Islamit në Evropë, i pari që shfaqet para syve të mi është ai. Ai e sheh teqenë si qendrën e një bote të tërë, ku mund të pastrohet zemra, edukohet egoja dhe rehabilitohet shoqëria. Kudo ku ai gjendet, me dijen dhe bekimin e njohjes së thellë që posedon, shndërrohet në një teqe.
Reflektime mbi rolin e mendimit Islam në periudhën bashkëkohore
Prof. Dr. Metin İzeti, i cili u ka hapur kërkuesve derën e shtëpisë së madhe të ndërtuar mbi dijen, edebin, metodën, maturinë dhe vetëdijen në Ballkan, është një nga frymët e të shenjtës të Islamit në Evropë. Ai është një dijetar dhe mendimtar i thellë që ka bashkuar arsyen, moralin dhe përgjegjësinë shoqërore të mendimit islam në Ballkan. Linja e tij intelektuale nuk rrëshqet në politikë identitare dhe as nuk mbështetet modernizimin imitues. Atë që ai ka mësuar nga mësuesit e udhës shpirtërore, ua përcjell fatlumëve, të rrënjosur fort në parime, pa shkaktuar shqetësim ose pa i mbingarkuar, por i udhëhequr nga moderimi, metoda dhe mençuria.
Mendimi islam, si burim i mençurisë së profesorit tonë të nderuar, është një mjet i fuqishëm në përpjekjet për të reformuar si individin ashtu edhe shoqërinë. Kjo qasje e mban atë larg rrëmujës ideologjike dhe polemikave/debateve të panevojshme verbale. Gjuha e fesë nuk shkakton shqetësim. Islami, si një sistem që mundëson jetë etike dhe me kuptim, manifestohet në këtë gjuhë.
Mjeshtri ynë i nderuar, z. Metin İzeti, zotëron një tipar unik brenda realitetit shumëdimensional të Ballkanit. Vetëbesimi i tij është jashtëzakonisht i lartë, sepse nuk e sheh veten si pakicë në gjeografinë ku jeton. Ai është i vetëdijshëm për identitetin e tij. Përvoja e mjeshtrit e transformon përvojën e bashkëjetesës në një gjendje natyrore të përqendruar në moral, duke shmangur izolimin dhe retorikën konfrontuese. Ai është shumë respektues për ata me të cilët bashkëvepron dhe për këtë arsye, ai meriton respekt të madh. Të qëndrosh/jetosh si musliman në kontekstin ballkanik është motoja e tij.
Dijetari i çmuar Metin Izeti e sheh krizën e botës moderne në përmasën etike dhe ontologjike. Problemi/çështja qëndron te pamundësia që një person i zhytur në kënaqësitë e ndryshme ka për t’u përgjigjur për motivin e kryerjes së të gjitha këtyre veprimeve. Prandaj, Profesor İzeti bën thirrje për një rimendim të standardeve morale dhe metafizike përballë stuhisë pozitiviste dhe laike të kohërave moderne.
Mendimi i të nderuarit Izeti ecën i ngritur mbi metodologji. Fusha e mendimit të tij rrethohet nga Kur’ani, syneti, fikhu dhe tasavvufi.
Mendimtari Metin İzeti i qaset çështjeve nga perspektiva e arsyes. Arsyeja dhe zbulesa nuk janë alternativa ndaj njëra-tjetrës. Sepse, “Ai që nuk ka arsye nuk ka fe”. Arsyeja është kuptimplote nën udhëheqjen e zbulesës hyjnore. Besimi gjithashtu thellohet dhe forcohet me arsye të shëndoshë. Gjuha e tij është e moderuar, jo e zhurmshme dhe shmang provokimin dhe fyerjen. Është jashtëzakonisht e qëndrueshme, e matur dhe frymëzon besim. Ky stil i tij është thelbësor për sigurinë shoqërore dhe mirëqenien në rajonin e brishtë të Ballkanit.
Në përpjekjen e Profesor Metin İzetit për të mbështetur rezistencën kulturore në Ballkan, sufizmi nuk shihet si një tërheqje nga bota. Përkundrazi, ai e paraqet sufizmin si një fortesë të kulluar dhe madhështore identiteti, që konsiston në pastrimin e brendisë, njohjen e Krijuesit, përpjekjen për të mirën dhe shoqërimin me besimtarët, duke mbetur njëkohësisht i shkëputur nga bota.
Me natyrën e tij, profesori ynë i nderuar Metin İzeti, të cilin z. Ömer Tuğrul İnançer e rriti dhe e dërgoi në sferën e Ballkanit, është një përgjigje e civilizuar e dhënë në Perëndim.
Për ta përfunduar: Ai është arkitekti intelektual dhe emocional i artit të islamizimit të myslimanëve të Ballkanit, për një botë më të bukur.
Përfundim: Thirrja e një Xherrahiu në Evropë
Prof. Dr. Meti Izeti është është thirrje për ringjallje dhe qëndrueshmëri estetike dhe etike të realitetit Islam në Ballkan. Ndërsa ia shtrin shërbimin e tij botës nga qendra e tij në Tetovë, ai përzien rigorozitetin shkencor me dashurinë, duke iu drejtuar botës me mençuri.
Mjeshtri i nderuar i komentimit Kur’anor prek zemrat, pa e ngritur asnjëherë zërin. Me qetësi, thellësi dhe etikë, ashtu si një vijë e drejtë, ai i mundëson dëgjuesit të tij të arrijë një gjendje të balancuar. Duke qenë i tillë, ky zë që tejkalon kufijtë dhe lartohet që nga Maqedonia e Veriut, i ofron shpirtit të njeriut bashkëkohor një eliksir urtie, i cili do t’i sjellë shërim.
I uroj atij jetë të gjatë, që të mund ta përfundojë Komentimin Kur’anor prej dyzet vëllimesh dhe që të hedhë farat e udhëzimit në çdo pëllëmbë të tokave Ballkanike.


