Me Ligjin e mbrojtjes shëndetësore të Republikës së Maqedonisë, çdo qytetar ka të drejtë që shërbimet shëndetësore të mjekësisë primare ti marrë, sa më afër vendbanimit, përfshirë edhe banorët e vendeve rurale. Por këtë të drejtë banorët e fshatrave rurale me vështirësi e realizojnë ngase në Maqedoni ekzistojnë vetëm 51 ambulanca rurale prej të cilave, gjashtë vetëm në komunën e Tetovës.
Mungesa e mjekëve nëpër këto fshatra, rrugët e rrezikshme dhe të bllokuara nga bora dhe ngricat edhe më shumë e vështirësojnë qasjen e pacientëve deri te mjeku. Rast konkret kemi edhe me rreth 1300 banorët e fshatit Vicë të cilët program ynë i viziton për të mësuar problemet me të cilët ata po përballen tani kur fshati është mbuluar me borë deri 70 cm.
“Kemi qenë shume keq, tani që kur ka ardhur mjeku këtu e kemi më mire më parë për një injeksion shkonim deri në Sellcë, me kuaj, më shumë ankohen pleqtë dhe fëmijët. Ai vjen këtu kur e thirrim na ndihmon për ndonjë injeksion a infuzion”, tha Jusuf Fazlia, banor.
Problemi më i madh i banorëve janë rastet urgjente sidomos për fëmijët e të moshuarit, ngase veturat e ndihmës së shpejtë nuk ngjiten larë dhe rrallë kush pranon të vozisë veturën në atë rrugë të rrezikshme. Por për rastet urgjente në ndihmë u dalin bashkëfshatarët por edhe Hafit Zendeli i cili siç theksoi 24 orë është në shërbim të banorëve me veturën e tij të adaptuar për këto kushte atmosferike.
“Më shumë më thërrasin për raste me fëmijë me temperature të larta, po edhe të mëdhenjtë unë jam i gatshëm përherë. Ka pasur raste kur i ka rënë të fikët dhe prej në Vicë e unë e kam thirr ndihmën e shpejtë dhe ku kemi mbërri me ua taku e kam dorëzuar pacientin. Rastet urgjente i marrë i dërgoj deri poshtë në Sellcë, Tetovë apo deri aty ku mbërrin vetura e ndihmës së shpejtë dhe ia dorëzojë pacientin”, tha Hafit Zendeli.
Dr.Gajur Xhaferi është mjeku i fshatit edhe për të vështirë është çdo ditë të ngjitet në ambulancën e tij por megjithatë siç u shpreh ai ia dalin disi
“Do të kishte qenë shumë mirë të kishte mjekë që është i fshatit dhe të kishte banuar këtu, por ajo nuk ndodhën, kemi problem edhe me personelin e shkollës së mesme nuk ka të interesuar. Ne mundohemi të vijmë çdo ditë por ka raste kur kemi borë dhe ngrica nuk arrijmë të vijmë, por është tekniku këtu dhe ai u del në ndihmë popullatës, në ndihmë e parë”, tha Dr.Gajur Xhaferi, mjek i përgjithshëm.
Me këto problem përballen edhe banorët e fshatrave tjera rurale sidomos gjatë stinës së dimrit theksoi Dr.Xhaferi.
/TVM2/