Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska me rastin e festës së grave para mediave tha se Qeveria ka kërkuar nga Prokuroria Themelore e Shkupit që t’i dëgjojë të gjithë dëshmitarët e rastit të sulmit të polices nga ana e funksionarit të lartë të BDI-së, Bekir Asani.
“Qëllimi nuk është që dikush ta mbroj dike, qëllimi nuk është që rasti të harrohet. Qëllimi është që edhe të mos improvizojmë me rastin. Ajo që duam ta shohim është nga organet që t’i dëgjojnë të gjithë dëshmitarët të kërkojnë inçizime nëse ekzistojnë dhe të tregojnë versionin real, dhe të kuptohet se çfarë ka ndodhur. Në këtë shtet pamë se sa i madh është çmimi i heshtjes dhe mos reagimit të institucioneve dhe reagimeve partiake të institucioneve”, tha Sheqerinska.
Ajo mes tjerash tha se vendimet e organeve gjyqësore duhet të sillen pa presione politike dhe u shpreh e bindur se ajo edhe do të ndodhë. Sipas saj, Qeveria në mënyrë shumë të qartë tha se ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj.
“Ligji duhet të vlejë njëjtë sikur për mua, për ju dhe për të gjithë qytetarët e Republikës. T’i mbrojë të dëmtuarit dhe t’i dënoj keqbërësit”, deklaroi ajo.
Ndryshe para pak ditëve në opinion u krijua një katrahurë në të cilën aktor kryesor ishte kryetari I degës së BDI-së në Çair, Beqir Asani, I cili sulmoi një police përderisa e njëjta kryente detyrën zyrtare.
M.I / Almakos