“Maqedonia është partner i besueshëm i NATO-s dhe me të drejtë pret dhe punon që të bëhet anëtarja e saj e 30”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. Ajo pret që në samitin e radhës të NATO-s, i cili do të mbahet në Bruksel gjatë muajit korrik, të verifikohen ndryshimet në Maqedoni dhe plotësimi i pjesës më të madhe të obligimeve që ka vendi.
“Treguam se në pjesën e reformave demokratike, sundimin e së drejtës, gjendjen e mediave, administratën dhe raportet politike, Maqedonia ka bërë një hap të madh përpara dhe kjo na jep të drejtën që përparimi i bërë në vend të verifikohet edhe në Samitin e NATO-s. Presim vlerësim pozitiv edhe nga të gjithë anëtarët e NATO-s”,deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.
Këto qëndrime Sheqerinska i paraqiti me rastin e hapjes së punëtorisë së NATO-s për koordinim të partneriteteve ushtarake, nikoqir i së cilës këtë vit është Maqedonia. Hapja e kësaj punëtorie në Maqedoni tregon bashkëpunimin e ngushtë dhe një hap drejt negociatave për anëtarësim në NATO, theksuan zyrtarë të Aleancës.
“Ky është një moment i rëndësishëm dhe i pakthyeshëm, ose i pandalshëm për anëtarësim në NATO dhe në BE, në të njëjtën kohë kërkojmë nga partnerët që t’i mbështesin aktivitetet tona në vendet ku ka problem. Sekreti i arritjes së suksesit është bashkëpunimi me këto zona, aleanca dhe partneriteti, shpërndarja e vlerave të cilat janë në interes të dyanshëm, dhe përgjegjësitë”, tha zëvendëskomandanti i Komandës kryesore të forcave të NATO-s për Europë, Xhejms Everard.
“Maqedonia është një partner shumë i rëndësishëm dhe i vlerësuar i Aleancës. Bashkëpunimi është i ngushtë me trupat e NATO-s, në misionet dhe operacionet e udhëhequra nga NATO-ja”, theksoi zëvendësshefi i Shtabit ushtarak nga Drejtoria për partner të NATO-s, Egil Pederson, njofton TVM2.
Punëtoria disaditore në të cilën do të marrin pjesë 200 përfaqësues të vendeve të NATO-s dhe vendet partnere do të përfshijë më shumë tema, operacionet e kryesuara nga NATO-ja dhe pjesëmarrja e partnerëve në këto operacione, harmonizimi i proceseve partnerike, edukimi, stërvitja etj.
Pjesë e punëtorisë do të jetë edhe prezantimi i 15 kapaciteteve arsimore të NATO-s dhe partnerëve, pjesë e së cilës është edhe Qendra e vetme partnerike e NATO-s në Maqedoni, Qendra rajonale për marrëdhënie me opinionin, si dhe shkolla e NATO-s në Oberameragu.