Me rastin e shënimit të 14 vjetorit të vdekjes së Presidentit të parë të Republikës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Alija Izetbegoviç, sot në varrezat e dëshmorëve “Kovaçi” do të vendosen kurora lulesh në varrezat qendrore të dëshmorëve në BeH dhe në tyrben e Alija Izetbegoviçit, raporton Anadolu Agency (AA).
Alija pas vetes ka lënë vepra të mëdha
Alija Izetbegoviç ka lindur më 8 gusht 1925 në Bosanski Shamac. Ai rrjedh nga një familje e shquar bejlerësh që jetonte në Beograd dhe e cila u shpërngul në Bosanski Shamac në vitin 1868. Në moshën dy vjeçare babai i tij Mustafa, një tregtar dhe bankier, vendosi të shpërngulet në Sarajevë, ku dhe mbaroi shkollën fillore dhe të mesme.
Për shkak se ishte pjesë e organizatës ”Muslimanët e rinj (Mladi muslimani)” Alija Izetbegoviç u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me tre vjet burg. Ai doli nga burgu në vitin 1949.
Pas tre viteve të studimit në agronomi, Izetbegoviç regjistrohet në Fakultetin e Drejtësisë në Sarajevë, të cilin e përfundoi me sukses brenda dy vitesh. Nga viti 1950 deri në 1960 ka punuar si udhëheqës i punëve ndërtimore, kurse nga viti 1960 deri 1982, si këshilltar ligjor në firma të shumta të Sarajevës.
Në pranverën e vitit 1983 ai u arrestua dhe në verën e po të njëjtit vit, në procesin e montuar ”procesi i Sarajevës” u dënua me 14 vjet burg. Ai kaloi gjashtë vjet në burg.
Pas daljes nga burgu Izetbegoviç, në vitin 1990 me një grup bashkëmendimtarësh themeluan Partinë e Veprimit Demokratik (Stranka Demokratske Akcije-SDA), e cila në zgjedhjet e lira fitoi shumicën e votave dhe më vonë do të luajë një rol kyç në mbrojtjen e Bosnjë e Hercegovinës nga agresioni. Në krye të shtetit dhe SDA-së ishin për disa mandate.
Vendimi për tërheqjen nga Presidenca e BeH-së e njoftoi më 6 qershor të vitit 2000. Ai paralajmëroi se do të tërhiqej pas përfundimit të postit të Kryesuesit të Presidencës së BeH më 12 tetor të po atij viti. Ai poashtu refuzoi të kandidojë në Kongresin e 3-të të SDA më 2001, dhe shpall për president nderi të SDA-së.
Izetbegoviç është autor i një numri të madh të veprave, studimeve, dhe librave “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, “Problemet e rilindjes Islame” dhe “Deklarata Islame”. Këto libra janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë botuar në disa vende. Në vitin 1999 ai botoi librin “Arratisja ime në liri” dhe në vitin 2000 libri “Kujtime” (përshkrim autobiografik). Në vitin 2004, u botuan veprat e mbledhura të Alija Izetbegoviç në 10 poema.
Ai gjithashtu është fitues i çmimeve dhe mirënjohjeve të shumta, si çmimi i Mbretit Faisal, medalja e Qendrës për Demokraci në Washington, kurse gazeta më e famshme spanjolle e Madrid “El Mundo”, në vitin 1995 pati përzgjedhur Alija Izetbegoviçin si Personi i Vitit në botë.
Universiteti Marmara në Stamboll në vitin 1997 i ndau titullin doktor nderi i shkencave juridike për kontributin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vendosjen e paqes, por edhe si jurist i shquar. Në forumin Kran Montana në vitin 1998, ai u nderua me çmimin prestigjioz për promovimin e të drejtave të njeriut.
Izetbegoviç gëzonte respekt në të gjithë botën
Alija Izetbegoviç ndërroi jetë më 19 tetor 2003, dhe u varros në varrezat e dëshmorëve në Sarajevë. Në varrimin e tij morën pjesë rreth 150 mijë njerëz nga mbarë Bosnja dhe jashtë saj, kurse telegrame ngushëllimi erdhën nga rreth 100 vende.
Do të mbetet në kujtime deklarata e Richard Holbrooke, ideatorit të Marrëveshjes së Dejtonit, i cili tha: “Po të mos ishte Alija Izetbegoviç, sot nuk do të kishte Bosnjë e Hercegovinë”.
Ish-Kryeministri dhe Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për lajmin e vdekjes të Alija Izetbegoviç, presidentit të parë të Bosnjë e Hercegovinës dhe mendimtarit të madh, tha se kjo ishte një tronditje nga thellësia e shpirtit për të dhe popullin e tij.
“Izetbegoviç ishte një njeri i cili me jetën dhe veprën pati ndikim në histori. Misioni i tij ishte shprehja e dinjitetit njerëzor dhe këmbëngulje mahnitëse, që paraqiste nder për të gjithë botën. Për vlerat në të cilat besonte, për vendin dhe popullin e tij, ai është një burim i pashterrshëm i guximit dhe vlerave të jashtëzakonshme. Dhimbjen me rastin e vdekjes së Izetbegoviç, populli im dhe unë e ndajmë me popullin vëllazëror të BeH-së”, pati deklaruar atëherë Erdoğan.
Në emër të Qeverisë së Malajzisë, kryeministri i atëhershëm Mahathir Muhamed ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për vdekjen e Alija Izetbegoviçit.
“Presidenti Izetbegoviç ishte një udhëheqës i madh i Bosnjë e Hercegovinës i cili tërë jetën ia kishte kushtuar të mirës së popullit të tij, si dhe progresit dhe prosperitetit të tij. Ai gjithashtu ishte një mik i madh i Malajzisë, i cili ka bërë shumë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, ishte deklarata e Mahathir pas lajmit për vdekjen e Izetbegoviçit.
Po ashtu edhe Presidenti i atëhershëm i Kroacisë, Stjepan Mesiç theksoi se Alija me personalitetin dhe ndikimin e tij politik me ndijësi regjistronte zhvillimet në BeH.
“Të gjithë jetën e tij ia kushtoi veprimtarisë politike dhe nuk e thyen as vitet e vështira të jetës së burgut. Është i padiskutueshëm roli i tij si burrështetas në vitet e luftës dhe të pasluftës në BeH, të kësaj periudhe të vështirë për të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Shpesh jam takuar me të në konferencat e panumërta të paqes, të cilat për fat të keq nuk arritën të parandalonin luftën dhe njohjen tonë e vazhduam edhe më vonë kur BeH arriti të ruante pavarësinë e saj”, pati thënë atëherë Mesiç.
Shumë burrështetas të tjerë të botës, rajonit, por edhe zyrtarët në BeH kanë shprehur admirimin dhe respektin për punën dhe veprën e Alija Izetbegoviçit.