Shpërndarja e materialit promovues në disa kompani në Maqedoni, organizim i diskutimeve për sfidat dhe problemet nga fusha e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës dhe bashkëorganizim të Konferencës së tretë ndërkombëtare për bashkëpunim rajonal për siguri dhe shëndet gjatë punës e cila prej sot e deri më 28 tetor do të mbahet në Budvë, janë pjesë e aktiviteteve që Shoqata e Maqedonisë për mbrojtje gjatë punës i organizon me rastin e Javës evropiane për siguri gjatë punës.
“Motoja e sivjetme ‘Ndërtim i SSHP në shekullin 21’ e paraqet përpjekjen tonë të vazhduar profesionale për mësim të vazhdueshëm dhe ndryshim të kulturës parandaluese. Kultura, e cila duhet të ndërtohet individualisht nga secili prej nesh dhe të jetë e zbatueshme për secilin. Qëllimi ynë është që të mbledhim të gjithë në një vend nga rajoni ynë dhe më gjerë, të cilët kanë përgjegjësi për jetën dhe shëndetin e njerëzve në procesin e punës. Me këmbimin e përvojave, kemi për qëllim të fitojmë zgjidhjet më të mira të cilat financiarisht do të jenë të pranueshme, teknikisht optimale dhe të qëndrueshme dhe efikase në afat të gjatë”, thonë nga Shoqata e Maqedonisë për mbrojtje gjatë punës. Shënimi i Javës evropiane për siguri dhe shëndet gjatë punës po mbahet çdo vit në tetor dhe ndiqet me një numër të madh të ngjarjeve për ngritjen e vetëdijes për vende pune të sigurta dhe të shëndosha në suaza të BE-së, por edhe më gjerë. Në organizim të EO-OSHA, tema e fushatës së Javës evropiane për vitin 2017 është vende pune të shëndosha për të gjitha moshat, qëllimi i së cilës është ngritja e vetëdijes për rëndësinë e jetës së qëndrueshme të punës.