Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, thotë se partnerët e koalicionit, BDI dhe LSDM, kanë rënë dakord që me ministrin e Shëndetësisë të drejtojë kuadër i LSDM-së, përkatësisht Venko Filipçe, zëvendësministër i Arsimit do të jetë ish-zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi, ndërkaq Aleancës i është ofruar të drejtojë Sekretariatin për Zbatimin e Reformave.
“Në këtë mënyrë e tejkalojmë situatën e tanishme në qeveri me plotësimin e vendeve të zbrazëta, ndërkaq Aleancës i është ofruar që të udhëheq reformat në RM, në shoqërinë tonë. Dhe, për fat të keq, duhet të shpreh keqardhje pse nuk merret përgjegjësi për t’u marrë përsipër reformat në Qeverinë e RM-së nga ana e asaj partie politike, por kërkohet diçka tjetër që në fakt nuk është pjesë e programit të kësaj partie”,- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
Përderisa Grubi pretendon se kjo çështje është mbyllur mes dy partnerëve të koalicionit qeverisës, BDI – LSDM, partneri i tretë në qeveri, ASh, konsideron se çështja do të mbyllet pas takimit Sela – Zaev, që pritet të ndodhë ditën e enjte, pasi të jetë kthyer kreu i ASh-së nga ShBA-të.
ASh vazhdon të thirret në marrëveshjen për formimin e qeverisë, sipas së cilës i takuan dy ministri, por LSDM tani ofron të këmbejë Sekretariatin për Zbatim të Reformave me Ministrinë e Shëndetësisë.
A do të jetë Ministria e Shëndetësisë “mollë sherri” për t’u larguar Aleanca nga Qeveria, do të mësohet vetëm pas takimit të paralajmëruar Sela – Zaev. Megjithatë, burime brenda ASh-së thonë se nuk mungon gatishmëria për të marrë përsipër zbatimin e reformave.
Sa i përket shumicës në Kuvend, mazhoranca llogarit në mbështetjen e deputetit, Vesel Memedi, deputetit, Hamdi Bajram, dhe të deputetit të pavarur, Çedomir Sazdovski. Ndërkaq, deputeti Grubi thotë se shumica është e qëndrueshme edhe pa ASh-në. Ai përjashtoi mundësinë e përfshirjes së PDSh-së brenda shumicës parlamentare.