Është vënë në pranga 44-vjeçari Admir Lala, drejtues teknik i kompanisë ku ndodhi shembja e një masivi kromi në Klos, ngjarje që ka rezultuar në zhdukjen e një 29-vjeçari, i cili u zu poshtë bashkë me fadromën që po drejtonte.
Sipas policisë, i riu me inicialet A.B. nuk është gjetur që prej ditës së djeshme. Ai ishte duke punuar me mjetin fadromë kur u rrëzua masivi i rërës dhe mineralit, duke e zënë poshtë.
Nga shembja është dëmtuar edhe një rezervuar uji, ndërkohë që mësohet se fabrika ku përpunohej kromi ishte marrë me qira nga dy shtetas kinezë. Vijojnë kërkimet për gjetjen e 29-vjeçarit të zhdukur.
Njoftimi i policisë
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e djeshme në Qafën e Burrelit, në fabrikën e përpunimit të kromit, ku shtetasi A.B., 29 vjeç, duke punuar me mjetin fadromë, u zu poshtë nga një masiv rëre dhe minerali, dhe për pasojë ende nuk është gjetur, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Postës së Policisë Klos arrestuan në flagrancë shtetasin Admir Lala, 44 vjeç, banues në Klos, me detyrë drejtues teknik i shoqërisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit po vijojnë intensivisht punën për gjetjen e shtetasit A.B.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.