Komisioni rregullator për energjetikë do të ndërmarrë masa adekuate lidhur me faktin që kompania Pucko Petrol, pa licencë adekuate për tregti me mazut, ka marrë pjesë në tenderin e Ministrisë për mbrojtje në muajin qershor të këtij viti, kurse me mazut ka furnizuar edhe institucione tjera shtetërore gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, siç janë Ministria e punëve të brendshme, spitalet e përgjithshme në Gostivar dhe Gjevgjeli, si dhe Shtëpisë së Studentëve në Shkup, që poashtu është në pronë shtetërore.
Ministria e mbrojtjes dje njoftoi se do të fillojë procedurë për ndërprerje të kontratës me Pucko Petrolin për furnizim me mazut. Ky vendim vjen pasi që Komisioni rregullator kanë marrë përgjigje se Pucko Petrol nuk ka të drejtë furnizim me këtë derivat, transmeton Gazeta Lajm. Paraprakisht, ministrja Shekerinska tha se te resori i mbrojtjes ka shkaktuar huti licenca e paqartë e Pucko Petrolit që ka marrë nga KRRE. “Është e qartë se shumë çështje kanë funksionuar në zonën gri, që të mundet dikush në prapavijë ta keqpërdorë”, tha Shekerinska.
Mediumet kanë shkruar se kompania Pucko Petrol është pronë e kryetarit të komunës Pllasnicë, Ismail Jaoski, që është nga radhët e BDI-së.