Shefi i Misionit për vëzhgim të zgjedhjeve të ODIHR-së për zgjedhjet lokale në vend, Mateo Mekaçi sot deklaroi se vëzhguesit i ndjekin të gjitha aspektet lidhur me zgjedhjet dhe theksoi se nuk është e rëndësishme vetëm dita e zgjedhjeve, por edhe proceset parazgjedhore, si dhe proceset pas ditës së zgjedhjeve.
Mekaçi, i cili sot ishte sot në vendvotimin në Shkollën fillore “Liria” në komunën e Çairit, theksoi se Misioni përbëhet nga 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët vëzhgojnë në tërë territorin e vendit.
“Ne jemi këtu si një mision vëzhgues ndërkombëtar, për të vëzhguar procesin zgjedhor dhe për të vlerësuar nëse gjithçka është në përputhje me standardet. Ky vendvotim, që e shihni pas nesh është një nga shumë që ne vëzhgojmë. Misioni ynë përbëhet nga rreth 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët vëzhgojnë në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Mekaçi shtoi se Misioni është vendosur shumë kohë para ditës së zgjedhjeve, me vendosjen e 24 vëzhguesve afatgjatë në tërë vendin, të cilët vëzhgojnë tërë procesin.
“Dhe siç thamë, jo vetëm dita e zgjedhjeve është e rëndësishme, por edhe proceset parazgjedhore, si dhe proceset pas vet ditës së zgjedhjeve. Sigurisht, ne po vëzhgojmë të gjitha aspektet që lidhen me vet zgjedhjet, duke përfshirë regjistrimin e votuesve, vetë fushatën, financimin e fushatës, qasjen në media, votimin në vet ditën e zgjedhjeve, numërimin e votave, etj.”, tha Mekaçi.