
Uashingtoni zyrtar pret që në Maqedoni të ketë një Qeveri e cila do të respektoj Kushtetutën e vendit, të drejtat e njeriut dhe institucionet shtetërore, duke vënë theks në Prokurorinë Speciale Publike. Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Hojt Ji, në një deklaratë për Zërin e Amerikës, ka thënë SHBA gjithsesi se e respektojnë sovranitetin e Maqedonisë dhe mundësinë që partitë ta sjellin atë vendim pa përzierje nga jashtë. Ji ka përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat i ka vlerësuar si kredibile dhe si bazë e mirë për zgjidhjen e krizës politike në të cilën ndodhet vendi më shumë se një vit. Por, sipas tij, është shumë e rëndësishme që liderët politik të punojnë sa më shpejtë dhe në mënyrë më efikase dhe të arrijnë marrëveshje.
“Roli ynë për momentin është që të vëzhgojmë, të ofrojmë këshilla për parime të caktuara si për shembull, ne vlerësojmë se është e rëndësishme që Qeveria e re t’i mbështet përcaktimet ndërkombëtare, përfshirë edhe përcaktimet e Marrëveshjes së Përzhinos; partitë ta bëjnë me dije qartë se janë të përcaktuara për respektimin e Kushtetutës së vendit, të drejtave të njeriut, t’i respektojnë institucionet e shtetit, përfshirë edhe institucionet e reja si PSP, të respektojnë sundimin e së drejtës dhe qëllimet e qytetarëve për integrime euroatlantike”, ka thënë Hojt Ji, Zyrtar i ShBA-së
Hojt Ji ka thënë se presin që liderët politik të kenë primare interesat e qytetarëve dhe jo ato politike si dhe presin që koalicioni i ardhshëm qeveritar të ketë raporte të mira me ndërkombëtarët.
“Besoj se partitë politike do të fokusohen në qëllimet e qytetarëve të tyre dhe jo në në interesat e ngushta politike dhe se do të kenë mundësi të arrijnë marrëveshje për koalicion qeveritar, e cila do të mund të bashkëpunoj me BE-në, ShBA-në, me partnerët e tjerë ndërkombëtar, që vendi të ec drejt integrimit më të madh”, ka shtuar më tej Ji.
Zyrtari i Departamentit Amerikan i Shtetit nuk ka dashur të komentoj rreth platformës së partive politike shqiptare, por ka porositur liderët e këtyre partive që ta dijnë se qytetarët llogarisin tek ata. Ai ka porositur që sa më shpejt të sjellin vendim për qeveri e cila do të mund ta çojë vendin drejt një ardhmërie më të mirë, në Europën demokratike, më të avancuar dhe më stabile.
Teuta Buçi /SHENJA/
SHBA kërkon Qeveri që do të respektojë PSP-në by tvshenjaofficial