Tetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, janë gjetur të vdekur në një shtëpi të përfshirë nga zjarri në shtetin amerikan të Miçiganit, ndërsa disa prej viktimave dyshohet se kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Grand Haven Township, pranë brigjeve të Liqenit Miçigan, ku zjarrfikësit u thirrën të premten në mëngjes për të shuar zjarrin. Gjatë kontrollit të objektit, ata zbuluan trupat e viktimave.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë ABC News, CBS News dhe The New York Times, që citojnë autoritetet lokale, viktimat besohet se i përkisnin të njëjtës familje.
Fëmijët ishin të moshës nga 5 deri në 15 vjeç, ndërsa dy të rriturit e gjetur të vdekur besohet se ishin të moshës 40 deri në 50 vjeç. Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse të rriturit ishin prindërit e gjashtë fëmijëve.
Sipas një zëdhënësi të policisë lokale, dyshohet se viktimat janë vrarë fillimisht dhe më pas shtëpia është djegur në përpjekje për të fshehur gjurmët.
Hetuesit kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka të dhëna që një i dyshuar të jetë ende në arrati, por kanë theksuar se hetimi është në fazat e para.
Autoritetet po vazhdojnë punën për identifikimin e plotë të viktimave dhe zbardhjen e rrethanave të kësaj tragjedie.



