SHBA-ja vlerëson se me vonesat në krijimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, rrezikohet ndikimi SHBA-BE në rajon. Në Ohër, në Forumin e Prespës për Dialog, zv/ndihmës sekretari i departamentit amerikan të shtetit për Evropën Methju Palmer kërkoi thellimin e bashkëpunimin rajonal, zbatimin e reformave, përforcimin e sundimit të të drejtës dhe demokracisë multietnike.

Ne jemi të zhgënjyer që çështja e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk u zgjidh pavarësisht presidencës portugeze dhe avokaturës së fortë brenda BE-së dhe zgjidhjeve të logjikshme që u prezantuan. Sepse në fund të fundit kjo na prek edhe neve. Këto vonesa kanë dobësuar bashkëpunimin tonë, ndikimin e SHBA-së dhe BE-së dhe aftësinë për të avancuar qëllimet e përbashkëta në rajon, përfshirë këtu, jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe reformat kushtetuese dhe ata që janë në pajtim me BE-në në Bosnjë dhe Hercegovinë por edhe ndikim më të gjerë në rajon gjithashtu”, tha Methju Palmer, zv/ndihmës sekretar i departamentit amerikan të shtetit për Evropën.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, deklaroi se çështja e kontestit me Bullgarinë tani do të merret në dorë nga Presidenca e re sllovene. Zgjidhja e mundshme mes Shkup dhe Sofjes do të nënkuptonte heqjen e vetos për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Propozimi mes tjerash përfshin që Bullgaria të jepte qëndrimin e saj unilateral për gjuhën dhe Maqedonia e Veriut po ashtu, kurse vetëm BE-ja të konkludojë se ekzistojnë dy pikëpamje të ndara.
Propozimi i presidencës, dhe unë them propozimi i presidencës dhe jo i Portugalisë, do të merret nga presidenca e re e BE-së, Sllovenia. Është propozimi i vetëm funksional tani dhe sipas komunikimeve të fundit është bërë një lloj progresi në definimin e hartës rrugore”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Në Ohër, për dy ditë radhazi në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog do të qëndrojnë krerët e rajonit, presidenti i Sllovenisë dhe si i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe Borut Pahor, katër kryeministrat nga rajoni, Edi Rama, Zoran Tegeltija, Ana Bërnabiq dhe Albin Kurti, si dhe tetë ministra të punëve të jashtme, liderë politik dhe ekspertë por edhe përfaqësues të lartë ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e tyre, edhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit Filip Riker, si dhe të Bashkimit Evropian si Komisari Johanes Han, përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Llajçak, Anxhelina Ajnhorst nga Shërbimi për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë. I pranishëm është edhe ish kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras.
Palët japin pikëpamjet e tyre për rëndësinë e dialogut dhe marrëveshjeve të ngjashme si ato e Ohrit dhe e Prespës, për stabilitet, siguri, bashkëpunim ekonomik dhe tregtar në rajon dhe më gjerë.
Fatlume Dervishi