Kandidati republikan për president, Donald Trump, ka thënë të martën se Shtetet e Bashkuara duhet të dalin nga lufta në Ukrainë dhe se zëvendëspresidentja demokrate Kamala Harris dhe presidenti Joe Biden nuk kanë plan për ta bërë këtë.
“Bideni dhe Kamala na futën në këtë luftë në Ukrainë dhe tani nuk mund të na nxjerrin. Ata nuk mund të na nxjerrin jashtë”, është shprehur Trump në një fjalim.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë trupa në Ukrainë, por i kanë dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake dhe humanitare me vlerë miliarda dollarë.
“Mendoj se do të jemi të mbërthyer në atë luftë derisa nuk jam president. Unë do t’i jap fund kësaj. Do të bëj që të negociohet, do të dal nga kjo. Duhet të dalim. Bideni thotë ‘nuk do të largohemi derisa ne të fitojmë. Çfarë ndodh nëse ata fitojnë”, ka deklaruar Trump.