Ushtria amerikane njoftoi se ka ndërmarrë sulme “në vetëmbrojtje” kundër Iranit, ndërsa ka rrëzuar edhe raketa balistike dhe dronë që, sipas saj, ishin lëshuar drejt anijeve dhe vendeve të Gjirit Persik, raporton BBC.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se sulmet u kryen në ishullin Qeshm, në Ngushticën strategjike të Hormuzit, si përgjigje ndaj asaj që e cilësoi si “sulme të tentuara nga Irani në të gjithë Lindjen e Mesme”.
Ushtria amerikane publikoi gjithashtu pamje që sipas tyre tregojnë momentin kur u godit një anije te martën.
Nga ana tjetër, Irani deklaroi se kishte goditur baza ushtarake amerikane dhe helikopterë në një “vend të rajonit” duke përdorur raketa dhe dronë, në shenjë hakmarrjeje.
Sipas CENTCOM-it, Teherani lëshoi dy raketa drejt Kuvajtit dhe tre të tjera drejt Bahreinit, por të gjitha ose u shpërbënë gjatë fluturimit, ose u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Tensionet e fundit vijnë në një kohë kur negociatat për armëpushim mbeten të bllokuara. Bisedimet për një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës disamujore nuk shënuan përparim gjatë fundjavës.


