Vetëm dhjetëra minuta pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, arritën përshëndetjet nga kreu i Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njoftonPortalb.mk.
“Votimi i sotëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut e hapë rrugën për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare javën e ardhshme. Ky është hap thelbësor i vendit dhe për BE-në. Ardhmëria jonë është e përbashkët dhe ju presim krahëhapur”, shkruajti në Tuiter, Charles Michel, kryetari i Këshillit të Evropës.
Me porosi të ngjashme doli edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Gëzuar deri te Maqedonia e Veriut për votimin me të cilin plotësohen kushtet për hapje të shpejtë të bisedimeve hyrëse. Kjo ishte mundësi historike dhe ju e shfrytëzuat”, theksoi Leyen.
Eurokomesari për zgjerim porositi se të martën pritet të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.
“E përshëndes votimin pas disa ditëve diskutim në Kuvend me çka qeverisë i jepet mandat të pastër për fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare të bazuar në propozimin francez. Gëzohemi në hapjen e bisedimeve hyrëse të martën, kur do të takohemi në Bruksel për konferencën e parë ndërqeveritare”, shkroi Oliver Varhej.
Sekretari i shtetit, Antony Blinken, e përshëndeti vendimin e sotëm në Kuvendin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Ai nëpërmjet një letre thotë se i njeh këmbimet e rënda të cilat janë bërë me këtë kompromis, por i cili i njeh dhe respekton identitetin kulturor të Maqedonisë së Veriut dhe gjuhën maqedonase.
Ky vendim vjen në momente kritike për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe Evropës. Bashkimi Evropian e cila e përfshin tërë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të jetë më e fuqishme dhe më me prosperitet. Tani është koha të ndërtohet puls dhe të punohet në hapat e radhës”, deklaron Blinken.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot e ka miratuar informacioni për propozimin francez, pasi lista e deputetëve që morën fjalën u shterua. 68 deputetë votuan “për”, ndërkaq paraprakisht sallën e kanë lëshuar deputetë të koalicionit VMRO-DPMNE dhe deputetët e Levicës. Pas votimit deputetët e shumicës parlamentare me duartrokitje e përshëndetën miratimin e propozimit francez dhe valëvitën flamujt e RMV-së dhe BE-së.
Në sallën e Kuvendit në dy ditët e para atmosfera u përcoll me akuza nga të dy taborët. VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe Levica kërkuan refuzim të këtij propozimi i cili, sipas tyre, çon drejt asimilimit të popullit maqedonas dhe shantazhe dhe pengesë shumëvjeçare e procesit eurointegrues nga ana e Bullgarisë. Për dallim nga ata, nga deputetët e partive qeveritare qetësonin se korniza negociuese ofron moscenim të integritetit territorial dhe gjuhës maqedonase dhe fillim të negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.
Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.
Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.



