Rusia e mori të shtunën presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pavarësisht nga thirrja e Ukrainës që anëtarët e këtij organi ta bllokonin këtë veprim.
Secili nga 15 shtetet anëtare e merr presidencën e Këshillit të Sigurimit për një muaj. Herën e fundit kur Rusia e kishte presidencën, në shkurtin e vitit të kaluar, Moska e nisi pushtimin e Ukrainës, raporton televizioni BBC.
Kjo do të thotë se Këshilli i Sigurimit tani udhëhiqet nga një shtet, presidenti i të cilit është subjekt i një fletarrestimi ndërkombëtar të Gjykatës Ndërkombëtare Penale nën dyshimin për krime lufte.
Pavarësisht nga ankesat e Ukrainës, Shtetet e Bashkuara thanë se nuk mund t’ia bllokojnë Rusisë – anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit – marrjen e presidencës.
Ky rol është kryesisht procedural, por ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, Tass, se ai planifikuar që të mbikëqyrë disa debate, përfshirë atë për kontrollin e armëve.
Nebenzia tha se do të diskutojë për një “rend të ri botëror”, i cili, sipas tij, po vjen “për ta zëvendësuar rendin njëpolar”.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e quajti presidencën ruse të Këshillit të Sigurimit “shakaja më e keqe ndonjëherë për Ditën e Gënjeshtrave” dhe “përkujtim të zymtë se diçka nuk është në rregull me mënyrën se si është duke funksionuar siguria ndërkombëtare”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vitin e kaluar bëri thirrje që Këshilli i Sigurimit të reformohej ose të shpërbëhej tërësisht, duke e akuzuar këtë organ për dështim që të ndërmerrte masa të ashpra për ta parandaluar pushtimin rus. Ai gjithashtu ka bërë thirrje që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit.
Megjithatë, ShBA-ja tha se duart i ka të lidhura, pasi Karta e OKB-së nuk e lejon largimin e një anëtari të përhershëm të KS-së së OKB-së.
“Fatkeqësisht, Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe nuk ekziston asnjë rrugë e realizueshme ligjore ndërkombëtare për ta ndryshuar këtë realitet”- tha këtë javë sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit janë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca.



