Me 9 qershor të vitit 2024, bjeshkatarët e Shoqatës Bjeshkatare Alpiniste “Karadaku” nga Komuna e Likovës dhe Kumanovës u ngjitën në tetë Ujëvarat e Kamjanit.
Ky rrugëtim ishte një parapërgatitje shpirtërore dhe fizike për të trokitur në “mrekullitë e botës” në një vend të vogël dhe të dashur si fshati Kamjan.
8 ujëvarat e Kamjanit janë si 8 portat e Xhennetit prej ku besimtarët trokasin për të shijuar botën e pafundme me shpërblime që as syri nuk i ka parë e as veshi nuk i ka dëgjuar.
Ajo që ishte për t`u theksuar nga ky rrugëtim ishte kujdesi i diasporës shqiptare për ta shndërruar këtë qosh të harruar të natyrës në një atraksion turistik që po tërheq njerëz nga mbarë bota.
Diaspora jonë janë heronj të gjallë të vendlindjes! Ujëvarat e Kamjanit janë model që duhet ndjekur edhe nga diaspora shqiptare e Komunës së Likovës dhe Kumanovës.
Natyra është shtëpia, ndërsa kujdesi për të është investim në ekzistencën e botës bimore, njerëzore dhe gjeneratave të ardhshme që do ta përcjellin rrëfimin tonë.