Shkup, 1 qershor
Sivjet frutat, në treg vijnë nga Greqia, Italia, Kolumbia, Irani, por edhe nga vendet tona, kryesisht pjesa lindore e Maqedonisë.
Në tregun e Bit Pazarit, janë një mori tezgash, që shesin pemë, perime, por edhe gjësende të tjera, që janë nevojë e përditshme e njerëzve. Gjendja e vështirë ekonomike ka bërë që tregu të jetë i zbrazur, me pak blerës. Këtë e shprehin edhe shitësit, në këtë pjesë të tregut. Por, çmimet e frutave sivjet dallojnë pak nga vitet e tjera.
Për frutat sezonale shitësit thonë se janë me çmime më të larta, por kjo ndodh, sepse vijnë edhe nga jashtë kufirit të Maqedonisë.
Qershia, e cila ka gjethe vezake të dhëmbëzuara, me lule të bardha të grumbulluara tufë, që herë ka kokrra të kuqe a të verdha, të ëmbla e me bërthamë në mes, shitet 80 denarë kilogrami dhe vjen nga qyteti i Strumicës. Është frut që piqet në fillim të verës dhe kokrat më të vogla shiten me shumën 50 denarë;
Pjeshka e cila është e rrumbullakëtë, mishtake, me lëkurë të butë e të mbuluar me push të imët dhe me një bërthamë në mes, kushton 60 deri më 100 denarë kilogrami. Ndërsa, në tregun tonë quhet “Pjeshka Rusman” dhe vjen nga vendi ku jetojmë.
Bananet arrijnë çmimin 70 denarë dhe ky frut vjen nga Kolumbia.
Molla nga vendi kushton 60 den, ato që vijnë nga jashtë vargojnë me çmimin nga 80 – 100 denarë.
Kajsia , e cila vjen nga Greqia është 60 deri më 80 denarë, varësisht madhësisë dhe brumit.
Urma, vjen nga Irani dhe arrin çmimin në 100 denarë.
Shaban Adili, shitësi në këtë treg thotë për Almakos se konsumatorët preferojnë disa fruta dhe se blejnë aq sa të provojnë frutin sezonal, jo shumë.
“Përshkak se frutat sezonale kanë çmim më të lartë, konsumatorët tërhiqen nga ato lloj frutash por, më shumë pëlqejnë qershinë dhe dredhëzën, që kushton 60 deri në 80 denarë. Sot, blerësit janë të varfër. Gjendja e tyre ekonomike është e dobët dhe afrohen pak në tregun tonë”, thotë shitësi Sh. Adili.
Nga ana tjetër, shitësi Nimetulla Arsllani thotë se një ditë nuk është e ngjashme me ditën tjetër, në shitje.
“Ne kemi shitje të dobët. Mund të them se ndonjë ditë po, ndonjë ditë jo aq mirë”, tha Arsllani.
Ai shton se ka furnizuar tezgën e tij me lloj lloj frutash, por çmimet nuk janë të përshtatshme për blerësin.
“Qarshia është fruti i preferuar i blerësve, në këtë sezon, ndërsa portokalli jo, i cili kushton deri në 60 denarë. Limoni ka çmim poashtu të shtrenjtë, deri më 100 denarë”, tha Arsllani.
Nëna Nazlia ka dal të bëj treg, por thotë se nuk blen aq sa dëshiron dhe aq sa është nevoja, sepse ka një pension të dobët dhe fëmijët i ka të papunë. Në këtë treg shihen edhe njerëz nga vendet e jashtme. Thip Kornkawin, e cila vjen nga Tajlanda thotë se shumë fruta janë pak prezent në vendin e saj.
“Blej qershinë, sepse e pëlqej shumë, si frutë. Në vendin tim, ky frutë kushton më shtrenjtë, ndërsa këtu është më lirë, gjithsesi ne kemi standard më të lartë të jetesës, për dallim nga ju, siç e shoh në vizitën time, në Maqedoni”, tha Kornikawin.
Tregu i Bit Pazarit ka lloj lloj frutash, por pak blerës.
/Almakos.com
D. Kërluku