Me argumentin se nuk plotësohen kushtet ligjore, Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë rrëzuar gjashtë kërkesat penale të Prokurorisë, e cila këmbënguli të sekuestronte të dhënat e ruajtura në serverin qendror të ILDKPI dhe regjistrat fizikë për konfliktin e interesave të zyrtarëve të lartë.
Ndërkohë që ka ngelur ende pa u shqyrtuar edhe kërkesa e shtatë që nuk ka lidhje me çështjen më të rëndësishme, siç ishte beteja për serverin, por ka lidhje me një vendim sekuestroje të dokumenteve nga ana e Prokurorisë.
Procesi gjyqësor ndiqej me vëmendje të posaçme sidomos nga faktori ndërkombëtar i përfshirë direkt në reformën në drejtësi. Formalisht e akuzuar nga Prokuroria se nuk kishte denoncuar shkeljet në deklarimet e pasurive të zyrtarëve, sipas burimeve diplomatike amerikane që folën në konfidencialitet për Top Channel, serveri i ILDKPI mban deklarimet e pasurive të njerëzve të drejtësisë, të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të Vetting-ut, do kompromentonin qëndrimin në detyrë të shumicës së tyre. Sekuestrimi i këtij serveri nga Prokuroria, nga ana tjetër, po sipas të njëjtave burime, do të kompromentonte atë, nga ndonjë ndërhyrje e papërgjegjshme në përmbajtjen e saj. Por, tashmë kjo nuk mund të ndodhë. Vendimi i të mërkurës së Gjykatës së Lartë, ia mbylli derën përfundimisht kësaj mundësie.
11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com) T.CH