Punimet në bulevardin “Xhon Kenedi” u lanë përgjysmë. Tre ditë pas shiut të rrëmbyeshëm e që la pasoja në këtë bulevard, filluan punimet për ta rregulluar asfaltin e dëmtuar edhe pse për këtë nga Qyteti i Shkupit deklaruan se do të angazhoheshin për marrjen e masave që ditën e hënë. Makineritë që ditën e martë shiheshin teksa po i mbushnin gropat me rërë, ato nuk duken më. Rruga ka ngelur ashtu e paasfaltuar dhe ka dy ditë që vërehet ndërprerje e tërësishme e punimeve, ndërsa nga Qyteti i Shkupit janë të pakapshëm për të njoftuar nëse punimet do të vazhdohen, kur do të vazhdohen ose nëse do të lihen me aq. Në bulevardin e “Xhon Kenedit”, madje nuk shihen as shenja që tregojnë se rruga është në punim e sipër.
ytetarë të intervistuar nga televizioni Shenja ankohen për këtë gjendje të rrugës, sepse nëpër asfalt janë shpërndarë gurë dhe mund të ju shkaktojë dëme shumë të mëdha veturave.
“Para pak kohësh është shtruar. Para shtëpisë sime ku jetoj unë është hapur gropë, një ditë rash aty me veturë dhe e kam dëmtuar edhe veturën…jo është një punë që askund në botë nuk e kam parë, ju vetë mund të shihni si është aty, gropat vetëm i kanë mbushur me rërë dhe i kanë lënë ashtu. Por, kjo nuk është asfaltim, kjo është vetëm një mbules e syve, kinse kemi shtruar asfalt”, ka deklaruar një qytetar.
“Askush nuk din të thotë asgjë, por kjo është pasojë e qeverisë së kaluar…Mendoj që shumë ju pengon qytetarëve, disa ditë kanë qenë të vendosura disa mbrojtëse prej plastike, por veturat kalimthi mund ta marrin atë me vete…Tani kalojnë veturat nëpër gurët që janë nëpër asfalt”, tha një qytetar tjetër.
“Po e shihni edhe vetë, e kanë rregulluar para disa muajve dhe ja si është tash…E mbuluan dhe ashtu ka mbetur e gjithë rruga ‘Xhon Kenedi’, çfarë të bëjmë, vetë shpresojmë që të bëhet më mirë”, deklaroi një qytetar.
Disa ditë më parë shiu i rrëmbyeshëm shkaktoi shembje të dheut dhe hapje të gropave në asfaltin që u përfundua vetëm një muaj më pare. Nëpër rrugët e dëmtuara me gropa të hapura dhe pa sinjalizim për kujdes për vozitësit, kanë lëvizur qytetarët për disa ditë, duke e vendosur në rrezik edhe jetën e tyre.
Ndërkaq, kryetari Koce Trajanovski gjatë kohës kur po realizohej projekti për ndërtimin e kanalizimit të ri atmosferik dhe riparimi i rrugëve në bulevardin “Xhon Kenedi” pati premtuar se ky asfalt do të ishte i sigurt për qytetarët për 15 vitet e ardhshme- transmeton Almakos.com
Emine Ismaili /SHENJA/