“Kemi ndërmarrë të gjitha aktivitete që fëmijët e prekur nga varicela sa më lehtë ta kaplojnë këtë sëmundje infektive. Për shërimin e tyre përdoren terapitë moderne dhe efektet janë shumë pozitive. Kryesisht bëhet fjalë për fëmijë prej 3 deri në 6 vjet. Mes fëmijëve ka edhe fëmijë të çerdhes ‘Breshia’, por edhe fëmijë të sapolindur…”, tregon pediatri Ylber Kokale
Këto ditë të ftohta në Dibër dhe rajon është prezent gripi sezonal, i cili sidomos godet fëmijët, por është paraqitur edhe sëmundja infektive e varicelës. Mjekët e Dibrës potencojnë se paraqitja e varicelës është nën kontroll dhe ndërmerren të gjitha masat që edhe në vijim ajo të mos shkaktojë probleme në shëndetin e fëmijëve. Javën e fundit, varicela ka prekur afër 50 fëmijë. Në ambulancën pediatrike “Pediatria D” në Dibër na informuan se numri i fëmijëve të prekur nga varicela ose siç i thotë populli – “Lija e dhenve” është në rritje. Pediatri Ylber Kokale thotë se, megjithëse ka numër të madh, deri tani nuk ka patur raste të rënda të varicelës tek fëmijët , meqë prindërit në kohë i dërgojnë fëmijët e tyre në institucionet shëndetësore.
“Kemi ndërmarrë të gjitha aktivitete që fëmijët e prekur nga varicela sa më lehtë ta kaplojnë këtë sëmundje infektive. Për shërimin e tyre përdoren terapitë moderne dhe efektet janë shumë pozitive. Kryesisht bëhet fjalë për fëmijë prej 3 deri në 6 vjet. Mes fëmijëve ka edhe fëmijë të çerdhes ‘Breshia’, por edhe fëmijë të sapolindur. Në ambulancën tonë, por edhe në Spitalin e përgjithshëm kemi një përgatitje të përditshme në lidhje me terapitë që marrin fëmijët me varicelë. Kjo sëmundje e cila tradicionalisht paraqitet tek fëmijët, shërohet brenda 8-10 ditëve. Bashkëpunimi me prindërit e fëmijëve është në nivel, prandaj nuk ka raste problematike”, thotë Kokale.
Përveç varicelës, e cila në Dibër dhe rajon u paraqit këto ditë, virozat sezonale po ashtu janë prezent jo vetëm në Dibër, por edhe në Qendrë Zhupë dhe Mavrovë Rostushë. Ka shumë fëmijë të prekur nga virozët sezonal, por edhe të rritur. Institucionet shëndetësore qofshin shtetërore apo private, me efikasitet bëjnë trajtimin e pacientëve dhe për fat të mirë, deri tani edhe pse ka një numër të shtuar të pacientëve me grip sezonal, nuk ka raste me probleme ndërlikuese. Por, gjatë vizitave që i bëmë Spitalit, mjekëve amë dhe ordinancave pediatrike, vërehet se numri i pacientëve me viroza sezonale është i madh. Edhe pse shpeshherë mjekët kërkojnë që pacientët të bëjnë edhe testime për virusin Kovid 19, për fat të mirë në Dibër dhe rajon tani më disa muaj nuk është regjistruar asnjë rast pozitiv me korona. (koha.mk)