Banorë të fshatrave të Malësisë së Tetovës kanë reaguar lidhur me punimet që zhvillohen në këtë periudhë në rrugën Shipkovicë-Brodec në dalje të Shipkovicës. Ky vend që gjithnjë është kritik për shkak të rrëshqitjes së dheut, në të kaluarën shpeshherë është bllokuar dhe ka pamundësuar lëvizjen e lirë të banorëve.
Tashmë në këtë vend zhvillohen punimet për rregullimin e kësaj pjese, ndërsa reshjet atmosferike kanë bërë që banorët të hasin në shumë probleme. Ata reagojnë duke nënvizuar se punimet duhet të zhvillohen kur është koha e mirë dhe jo në periudhën e vjeshtës dhe dimrit, shkruan gazeta KOHA. Banorët kanë njoftuar se reshjet e fundit kanë bllokuar këtë aks rrugor duke sjellë me vete shumë mbetje të rërës dhe dheut. Në ndërkohë, nga komuna thonë se punët do të përfundojnë brenda 60 ditëve.
“Kërkojmë mirëkuptim nga ana e banorëve, sepse në atë rrugë është duke u punuar në ndërtimin e urës dhe shpresojmë se brenda 60 ditëve, punët do të përfundojnë”, thotë Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Në një pjesë të kësaj rruge ku edhe kalon një përrua, reshjet sjellin me vete më shumë rërë dhe gjithmonë bllokohet dhe është e pakalueshme.
“Pas të reshurave të shiut dhe të borës në Malësi, rruga nga fshati Shipkovicë në drejtim të fshatit Brodec ka qenë e bllokuar paksa tek ura ku edhe po kryhen punimet në ndërtimin e saj, punime këto të cilat kanë filluar nga ana e komunës pak javë më parë e që projekti përfshinë rregullimin me standarde të urës dhe rrugës që do zgjidhë problemin e lëvizjes në këtë pjesë që ishte dëmtuar si ura, ashtu edhe rruga gjatë vërshimeve të fundit. Mbrëmë, deri në orët e vona të ditës makineria ka punuar intensivisht në vendosjen e gypave nën urë me qëllim që uji të mos dëmtojë dhe bllokojë rrugën, e njëkohësisht pastrimin e shtratit të përroskës që kalon në këtë pjesë të rrugës”, deklaroi Arsim Nuredini, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari komunale, mbrojtje të ambientit jetësor dhe natyrës.
/Koha.mk/