Pë rolin e saj vendimtar në çlirimin e Kosovës, një incident ka ndodhur në tetor të viti 2012 në Pragë të Çekisë midis ish-Sekretares së Shtetit të SHBA, znj. Madeleine Albright dhe një grupi aktivistësh pro-serbë.
Gjatë një aktiviteti ku ajo promovonte dhe firmoste, librin e saj me kujtime “Dimri i Pragës”, në librarinë Luxor të kryeqytetit çek, më 23 tetor 2012, anëtarët e grupit qytetar “Miqtë e serbëve në Kosovë” iu vërsulën znj. Albright dhe përfaqësuesve të saj, por ajo me vendosmëri u doli përballë me fjalët: “Ti je kriminel lufte! Dil jashtë!” ngriti zërin diplomatja e njohur në mbarë botën.
Aktivistët nga organizata “Miqtë e serbëve në Kosovë” të udhëhequr nga regjisori i filmit Vaclav Dvorak (autori i dokumentarit “Kosova e Vjedhur”), e provokuan duke i prezantuar pesë postera me fotografi të viktimave nga fushata e “bombardimeve humanitare” të NATO-s, siç e quajtën dhe me “mirësjellje”, i kërkuan Albright t’ua nënshkruante ato.
Ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA-së u kap në befasi, por nuk u tërhoq. Ajo u ngrit nga vendi dhe me forcë iu drejtua provokatorëve me fjalët: “Serbë të fëlliqur”!
ALBIN KURTI NDERON ROLIN E MADELEINE ALBRIGHT
Jo më larg se dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti , në seancën e veçantë për shënimin e 23-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, nderoi rolin e jashtëzakonshëm të Ish-Sekretares së SHBA me këto fjalë:
“Në përvjetorin e 32-të të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në anën e drejtësisë e kishim popullin dhe UCK-në e nga jashtë në anën e drejtësisë kishim një emër të përveçshëm si asnjë tjetër, znj. Madeleine Albright.
Pesë muaj para se të fillonin bombardimet e NATO-s, në një fjalim të saj më 27 tetor 1998, Madeleine Albright deklaronte në Departamentin e Shtetit në Washington që:
“Dy javë më parë, NATO ndërmori hapin historik për autorizimin e komandantit të NATO-s për të nisur sulme ajrore, vetëm për të dytën herë në historinë e saj 50-vjeçare. Duhet ta kemi parasysh historinë e Millosheviqit, mosgatishmërinë e tij të tejzgjatur për të negociuar seriozisht dhe barbarinë e akumuluar. Është jetike të kuptohet se edhe nëse kriza humanitare shmanget, kriza politike mbetet. Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm në tryezën e bisedimeve.
Kjo është një pikë jetike, sepse as forca ushtarake e NATO-s nuk mund t’i zgjidhë tensionet, rivalitetet dhe mosmarrëveshjet që janë në qendër të problemeve të Kosovës. Millosheviqi nuk duhet të ketë iluzione. NATO do të jetë në ajër dhe poshtë.
Jemi në një pikë kyçe vendimtare në historinë e Ballkanit dhe të NATO-s. Siç reflektojnë ngjarjet e dy javëve të fundit, ne kemi filluar të ecim në rrugë të drejtë për të dyja këto. Për momentin është shmangur një katastrofë humanitare. Por kriza do të mbetet deri sa të ketë një zgjidhje politike që garanton respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne duhet dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parë që progresi do të vazhdojë.”
Dhe vërtetë, historia i dha të drejtë zonjës Sekretare Madeleine Albright, sepse NATO u dha fund iluzioneve të Millosheviqit, kurse çlirimi i Kosovës dhe pavarësimi i saj më pas, i shtoi Evropës dhe botës një shtet të ri dhe demokratik, ku respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve: Republikën e Kosovës,” theksoi Albin Kurti.SYRI.NET