Sot ( e enjte) nga Gjykata Supreme është anuluar seanca për rastin “ Monstra”. E njejta u paralajmëruar se do të kthehet në sallën e gjykatës më datë 12 shtator. Seanca është anuluar me kërkesë të njërit prej avokatëve mbrojtës, për arsye se i njejti ka deklaruar se është në udhëtim jashtë vendit. E ndërkohë avokatët e këtij rasti shpresojnë se do të jetë PPS ajo e cila deri në shtator do të marrë përsipër këtë rast.
Lidhur me këtë në konferencën e sotme për media nga Specialja, Janeva, tha se presin përgjigje nga Këshilli I Prokurorëve Publik.
“Shpresoj se Këshilli i Prokurorëve do të na i dorëzojë materialet për të cilat kemi dorëzuar kërkesë, jo vetëm për Monstrën, por edhe për lëndë të tjera. Ligji është i qartë në këtë drejtim, në afat prej 8 ditësh nga marrja e lëndës, unë do të vendos se a jam ose jo kompetente. Kjo nuk do të thotë se të gjitha lëndët në ndonjë fazë nuk po shqyrtohen. Por se a ka implikacione, a duhet ta marrim në kompetencë, ende për shkak të mungesës së bashkëpunimit, nuk kemi mundur të vazhdojmë me disa veprime që janë në kompetencën tonë”, deklaroi Katica Janeva, prokurore speciale.
Janeva tha se ekzistojnë shumë lëndë me shumë tregues për vepra kriminale në bisedat e përgjuara. Megjithatë shtoi se puna e kësaj prokurorie do të vazhdojë dhe se data një korrik nuk ka ndonjë rëndësi pasi që kësaj prokurorie i mbeten edhe 3 vjet punë , duke qenë se mandate i saj është për 5 vjet.
Ndërkohë për mediat në vend, familjarët e të akuzuarve në rastin “ Monstra” shprehën zhgënjimin nga Prokuroria Speciale e cila thanë se është dashur t’i ketë ata si prioritet, pasi tangohen dy etnitë, por të njëjtin mllef e kishin edhe për kryeministrin Zoran Zaev dhe për kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.
Pesë persona janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.
Evi Shkopi
Almakos.com