Kandidatja e Lëvizjes Besa, për Qytetin e Shkupit, Nafie Selmani në një intervistë ekskluzive për Almakos, ka shtjelluar temat, zgjidhja e të cilave është parësore dhe nuk mund të presin më. Selmani u zotua se nëse vjen ajo në krye të bashkisë do të bëj ç’mos që të ngrejë çështjet që e tangojnë shoqërinë dhe se për zgjidhjen e të njëjtave do të kërkoj mendimin, ndihmën edhe të qytetarëve.
Almakos: Znj Selmani, cili është plani juaj për zhvillimin e ekonomisë lokale? Në atë plan, a është precizuar se cilat ndërmarrje do të kenë përkrahje dhe në ndërkohë, ju lutem, na tregoni se çfarë do të ndodhë me përfaqësimin e grave dhe rinisë?
“Përmes sektorit për zhvillim ekonomik lokal, do të kemi një program për përkrahje teknike vetëm të ndërmarrjeve të vogla dhe mikro, dhe pjesa tjetër është përkrahja e sipërmarrësisë së grave dhe të rinjve deri në moshën 30 vjeçe, pasi që në tregun e punës përfaqësimi i grave dhe të rinjve është më i vogël. Gjithashtu kujdes të veçantë dhe përkrahje do t’u japim të rinjve pasiv ose në terminologjinë angleze NEEDS. Ky është grupi i të rinjve të cilët as nuk mësojnë, as nuk punojnë dhe nuk janë aktiv aspak ( të rinj pasiv). Në Republikën e Maqedonisë numri i tyre sillet diku rreth 27% ndërsa kjo përqindje është në nivel të Lindjes së afërt. Që t’i arrijmë këto qëllime do ta thellojmë bashkëpunimin me qytetet e vëllazëruara në mënyrë që duke i marrë përvojat e tyre t’i shfrytëzojmë këtu tek ne ndërkaq në bashkëpunim me to, do të bëhemi ura ndërlidhëse e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla që funksionojnë në Qytetin tonë me ndërmarrjet e njëjta të qyteteve të binjakëzuara”, shtoi Selmani.