Nafie Selmani ka reaguar ndaj eksponentit të VLEN-it dhe ish-kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, pas deklaratave të tij në adresë të studentëve që po kërkojnë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Reagimi i Selmanit vjen pasi Ibrahimi, duke iu kundërpërgjigjur një studenti që falënderoi publikisht mbështetësit e kauzës, ka shkruar: “Ata që na e zbulojnë Fërçkovskin si vlerë, i përbuzin qindra shqiptarë të ndërgjegjshëm.”
Në reagimin e saj, Selmani i rikujton Ibrahimit se ai dhe partia e tij kanë qenë dy herë pjesë e qeverisë së Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), ku sipas saj, Fërçkovski ka pasur rol të rëndësishëm dhe ndikim kyç. Ajo thekson se Alternativa nuk ishte pjesë e asaj qeverie si fituese zgjedhjesh, por si humbëse, duke e akuzuar për bashkëpunim për interesa partiake e personale.
Selmani shtron pyetjen pse figura e Fërçkovskit rikujtohet vetëm kur u konvenon politikisht, ndërsa anashkalohet kur është në interes të tyre.
Ajo gjithashtu përmend ndryshimin e qëndrimeve të ministrit Sali, i cili fillimisht deklaroi se studentëve u takon ta japin provimin në gjuhën shqipe, ndërsa më pas, sipas studentëve, çështja është sugjeruar të dërgohet në Komisionin e Venecias. Sipas Selmanit, partnerët qeveritarë kanë pasur edhe përplasje publike, duke përmendur deklaratën e ministrit Fillkov, i cili e ka quajtur me fyerje ministrin Sali “dentist që nuk i kupton eurointegrimet”.
Në fund, Selmani akuzon Ibrahimin dhe bashkëpunëtorët e tij se në mungesë të guximit politik për të mbështetur studentët, po rreshtohen kundër tyre dhe po sulmojnë ata që, sipas saj, i kanë përkrahur pa interesa personale, përfshirë edhe Ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, për të cilin thotë se u ka dalë në krah studentëve në mënyrë njerëzore dhe në përputhje me Kushtetutën e shtetit amë.


