Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënoi ashpër rrahjen e ekipit të portalit “A1On” në protestat e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” dhe gishtin për këtë sulm e drejtoi kah VMRO DPMNE-ja dhe Nikolla Gruevski.
Naser Selmani sot takoi ministrin e brendshëm Agim Nuhiu të cilit iu ankuan për sulmin dhe kërkuan zbardhjen e menjëhershme të rastit dhe kapjen e autorëve.
Selmani tha se i është ankuar Nuhiut për një sërë rastesh të sulmeve ndaj gazetarëve që edhe sot e kësaj dite nuk janë zbardhur.
Selmani e porositi kreun e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski që në mënyrë të qetë ta dorëzojë pushtetin dhe t’i tërheqë “njerëzit e tij të dhunshëm” pasi në të kundërtën, do të përfundojë si Gadafi. VMRO-DPMNE-ja iu kundërpërgjigj kryetarit të SHGM-së duke thënë i thënë se gënjen dhe manipulon duke e lidhur sulmin ndaj gazetarëve me atë dhe VMRO DPMNE-në. Kjo parti tha se deklaratat e tilla të pahijshme nuk janë të denja për dikë që duhet ta mbrojë gazetarinë e pavarur. Deklarata e Selmanit, siç thonë nga selia e VMRO-DPMNE-së është identike me atë të LSDM-së.