Ish kryetari i Demokracisë së re Imer Selmani duke folur për garën zgjedhore në Çair në emisionin “Rruga Drejt” ka vlerësuar shumë pozitivisht kandidatin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Visar Ganiu, duke lënë të kuptohet që Ganiu është opsioni më i mirë për t’u votuar.
Ai e ka cilësuar si një fushatë tipike moderne, me oferta dhe propozime konkrete, e kundërta e fushatave të kundër kandidatëve të tjerë që i ka cilësuar si fushata të zeza, të ndërtuara në bazë të akuzave.
“Mua sinqerisht më ka bërë përshtypje fushata e Visarit. Ka bërë fushatën më të mirë nga të gjithë kandidatët, një fushatë tipike, moderne të ofertës. Edhe pse s’jam qytetar i Çairit shumë projekte më kanë hyrë në mendje, shumë premtime konkrete që i ka dhënë dhe shpresoj se nëse fiton do t’i realizojë ato premtime. Nuk më pëlqejnë kandidatë të cilët dalin dhe bëjnë fushatë akuzash, fushatë të zezë, dhe pa premtime. Për arsye se zgjedhjet lokale duhet të jenë tipike, me ofertë infrastrukture, të përmirësimit të jetës lokale, të rrethit dhe ambientit lokal”, ka thënë Selmani.
Sipas tij, Çairi do të jetë një sfidë shumë e madhe, për të dy partitë, por vendimtare në votimin e së dielës do të jenë votat e maqedonasve dhe turqve, e të bashkësisë të tjera etnike, votat e të cilëve nuk i zotëron asnjë parti shqiptare. Dhe ata me sugjerimet e partive që ata preferojnë, LSDM, apo VMRO, apo edhe qoftë me bindjet e tyre do të vendosin se cili kandidat do të jetë më frytdhënës, ka thënë Selmani.