Aktivistja qytetare Nafie Selmani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit të VLEN-it, Adnan Azizi, i cili së fundmi ka akuzuar se protesta e paralajmëruar e studentëve më 6 prill është e politizuar dhe se studentët po instrumentalizohen nga qarqe të ndryshme.
Selmani u bën thirrje të veçantë nënave dhe grave që të bashkohen me studentët në protestë, duke theksuar se të rinjtë nuk duhet të mbeten vetëm në kërkesat e tyre për të drejta.
Në vijim shkrimi i plotë i Selmanit:
Njëri nga eksponentët e VLEN-it, i njohur në opinion si “i forti” që vendos për gjithçka në VLEN, se kush do të qëndrojë e kush do të largohet nga aty, deputeti Adnan Azizi, në një intervistë televizive dje paska akuzuar se protesta e paralajmëruar e studentëve për 6 prill qenka e politizuar, ndërsa studentët janë të instrumentalizuar nga qarqe të ndryshme dhe armiqtë e popullit.
Ai paska shkuar edhe më larg, duke pretenduar se ka parë mesazhe të studentëve, që në përkthim i bie se ata janë përgjuar në një mënyrë.
Deputet Azizi, si një qytetare e zakonshme, ju lus që në vend se të akuzoni studentët, bijat e bijtë tanë më të mirë për instrumentalizim, nëse nuk mund t’i ndihmoni nga pozita që keni, ejani në protestë. Ndoshta kështu mund të mbroni së bashku ndonjë të drejtë, sepse deri tani nuk po arrini të mbroni asgjë e askënd. Për më keq, po na degradoni dhe po na përjashtoni edhe ne që ju kemi dhënë pushtetin përmes mbështetjes dhe votës.
Shfrytëzoj këtë hapësirë që t’u drejtohem nënave dhe motrave tona të dashura që të mos rrimë më anash. Fëmijët tanë nuk duhet të jenë vetëm në rrugë, duke kërkuar të drejtat që u takojnë. Ata janë e ardhmja dhe shpresa e këtij vendi.
Sot më shumë se kurrë, kanë nevojë për ne, për zërin tonë, për praninë tonë, për guximin tonë.
Të hënën të jemi bashkë me to! ✌️🤍


