Naser Selmani
Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut dëshmuan se qeveria, përmes një operacioni klasik policor, u përpoq të shtrembërojë vullnetin politik të votuesve dhe të dëmtojë opozitën shqiptare.
Rezultatet duken paradoksale: opozita mori mbi 20 mijë vota më shumë në listat për këshilltarë komunalë, ndërsa koalicioni qeveritar VLEN fitoi më shumë kryetarë komunash.
Operacionet e tilla të “inxhinieringut zgjedhor” janë karakteristike për regjime autoritare si ai i Aleksandar Vuçiqit në Serbi, i cili falë këtyre marifeteve zgjedhore ka mbajtur pushtetin për mbi 20 vjet. Ky skenar, poashtu tregon se “shteti i kapur” maqedonas, i konstatuar nga misioni i BE-së në vitin 2015, vazhdon të jetë i gjallë
dhe kontrollon sistemin politik të vendit.
Për zbatimin e këtij plani, VMRO dhe VLEN kanë përdorur disa mekanizma të ndërthurur siç janë shkëmbimi i fshehtë të votave, keqpërdorim i kandidatëve të pavarur dhe bojkotin e heshtur. Strategjia e pushtetit për t’i shkaktuar opozitës shqiptare një debakël zgjedhor, ashtu si ndodhi në kampin maqedonas, dështoi te shqiptarët.
Në rastin e Çairit, shkëmbimi i fshehtë i votave ishte i panevojshëm. Izet Mexhiti edhe pa votat maqedonase do të fitonte zgjedhjet me mbi një mijë vota diferencë.
Nga paniku i humbjes më kot e flijuan komunën e Butelit për të fituar Çairin që mund të fitohej pa ndihmën e VMRO-së. Vlen në listën për këshilltar në Çair vetëm mori mbi 13 mijë vota, të mjaftueshme për ta mundur kandidatin e opozitës Bujar
Osmanin, i cili fitoi mbi 12 mijë vota.
Mbi 1500 votat e VMRO në Çair, që realisht nuk iu deshën Mexhitit, u kapitalizuan me fitoren e VMRO-së në Butel, komunë urbane në Shkup, ku shqiptarët për herë të parë në këto zgjedhje përbëjnë shumicën e popullësisë me mbi 50 për qind. Këtu
Vlen me makinacione procedurale nuk nxori kandidat për kryetar duke favorizuar kandidatin e VRMO-s. Ishte poshturse të shikosh se si Darkoja i VMRO-së mori mbi 400 vota shqiptare vetëm në fshatin Luboten, aty ku në vitin 2001 Tarçullovski i VMRO-së kreu krime lufte kundër civilëve shqiptarë.
Votat e VMRO-së përcaktuan fituesin për kryetar në Saraj. Kandidati i VLEN-it fitoi me mbi 500 vota diferencë, aq sa VMRO e Mickoskit kishte marrë në listën për këshilltarë në këtë komunë.
Në Strugë dhe Tetovë, strategjia e shkëmbimit të votave dështoi plotësisht, megjithëse VMRO mbështeti kandidatët e VLEN-it me votat e fituara në listat për këshilltarë.
Rezultatet në Strugë treguan qartë se kandidati Mendi Qyra nuk është i pavarur, pasi mori saktësisht votat e partive në pushtet në listat për këshilltarë, rreth 6 mijë nga VMRO dhe 4 mijë nga VLEN.
Megjithë mbështetjen e madhe, ai arriti të sigurojë vetëm 37% të votave, të pamjaftueshme për fitore në rrethin e parë, ndërsa kandidati i opozitës shqiptare vetë arriti të barazojë rezultatin.
Edhe në Tetovë, kandidati i VLEN-it, nuk arriti fitore, megjithëse mori mbi 4 mijë vota të VMRO-së, po aq sa kjo parti kishte në listën e këshilltarëve. Me apo pa votat e VMRO-së dhe dalje masive të votuesve në rrethin e dytë të zgjedhje për kryetar në Tetovë, Bilal Kasami i Vlenit dhe kandidati opozitar Bajram Rexhepi kanë shanse të barabarta për të fituar komunën.
Loja e VMRO-së dhe VLEN-it me të ashtuquajturit “kandidatë të pavarur” në Kërçovë poashtu dështoi. VLEN e ndau votën shqiptare në tre pjesë, me shpresë se kandidati i vetëm maqedonas i VMRO-së do të fitonte që në raundin e parë. Tani kandidati i VLEN-it, Fatmir Limani, pobratim i kryeministrit Mickoski, që fitoi m pak vota se kundërkandidati shqiptar, deklaron se nuk mund të mbështesë atë për “arsye të kota”. VLEN në Kërçovë duhet të zgjedhë mes padronit Mickoski dhe kandidatit shqiptarë, rrugë tjetër dhe hapësirë për të manovruar më nuk ka.
Forma më e ulët dhe më antidemokratike e manipulimit të zgjedhjeve nga pushteti është bojkoti i heshtur në Gostivar dhe Vrapçisht, ku as VMRO, e “Sveti VMRO” nuk mund t’i shpëtonte kandidatët e VLEN-it nga umbja e trupshme, sepse diferenca
ishte e paarritshme.
Duke penguar arritjen e censit, ata penguar fitoren e opozitës shqiptare dhe me procedura administrative të uzurpojnë këto dy komuna. Kjo është një praktikë e njohur që na kujton vitet ’90, kur Millosheviqi vendoste masa të dhunshme në Kosovë për të përjashtuar shqiptarët nga institucionet. E njëjta lojë po zhvillohet
edhe në Çashkë, ku tentohet të anulohet fitorja historike e shqiptarëve atje, që për herë të parë zgjodhën kryetar shqiptar.
Duket se VMRO dhe VLEN po luajnë me zjarr. Kjo lojë e rrezikshme mund të çojë në destabilizimin e vendit, sepse shqiptarët dhe as faktori ndërkombëtar nuk do të pranojnë që komunat shqiptare të qeverisen nga bimbashët shqiptar të Mickoskit, pa legjitimitetin popullor.
Nëse VLEN nuk tërhiqet nga këto skenarë të rrezikshëm, dëmton interesat e shqiptarëve dhe vetveten duke rrezikuar të marrë epitetin “VMRO shqiptarska”,ashtu siç aktivistët e VMRO-së në komunikimin e tyre intern etiketojnë kandidatët e Vlenit në këto zgjedhje.