04 October
Bashkëpunimi në sferën e sigurisë, bashkëpunimi ndërkufitar, lidhja energjetike, janë një pjesë e temave në të cilat do të përqendrohen ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Shqipërisë, Greqisë dhe Bullgarisë, Nikolla Dimitrov, Ditmir Bushati, Nikos Koxias dhe Ekaterina Zaharieva, në takimin katërpalësh sot dhe nesër në Selanik.
Takimi mbahet me iniciativë të ministrit grek të Punëve të Jashtme, Nikos Koxias.
Ky do të jetë takimi i dytë i një formati të këtillë në kuadër të përpjekjeve të diplomacisë greke për përforcim të stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit transkufitar midis vendeve fqinje nga pjesa jugore e Ballkanit.
Qëllimi i takimit diplomatik është që të konfirmohet bashkëpunimi institucional midis katër vendeve, të cilat duhet të zgjidhin çështje të sigurisë dhe të luftojnë kundër ekstremizmit, terrorizmit dhe radikalizimit. Njëkohësisht, këto vende u ballafaquan edhe me krizë të madhe të refugjatëve dhe emigrantëve, pasojat e së cilës i ndjejnë akoma.
Për këtë arsye, ministrat e Punëve të Jashtme do t’i shqyrtojnë mundësitë për përgatitjen e pozitës së përbashkët gjatë zgjidhjes së këtyre çështjeve në bazë të vlerave evropiane dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Në delegacione janë përfshirë edhe ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Energjetikës, gjegjësisht Ekonomisë së katër vendeve.
Dimitrov paraprakisht këtë javë deklaroi se nuk pret që vendet e rajonit, më saktësisht Shqipëria dhe Bullgaria, të jenë ndërmjetësues në zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë. Ai theksoi se kontesti është çështje bilaterale dhe se do të vendoset midis dy vendeve me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara, gjegjësisht ndërmjetësi i tyre Metju Nimic.
Ai theksoi se pret që në margjinat e takimit të ketë edhe takim bilateral me Koxiasin.
Në pajtueshmëri me programin ministrat sot do të kenë edhe darkë pune.

