Deputetët e partive politike shqiptare kundërshtuan ashpër qasjen e VMRO-DPMNE-së ndaj Deklaratës së përbashkët të tyre duke e konsideruar atë mbjellje të urrejtjes ndëretnike. Ziadin Sela nga Aleanca për shqiptarët theksoi se kjo deklaratë vlen për partitë shqiptare dhe se paraprakisht vetë VMRO-DPMNE-ja e ka pranuar atë duke qenë vetëm kundër Prokurorisë Speciale. Qasjen e VMRO-DPMNE-së ndaj shqiptarëve, Sela e konsideroi si gjenocidale.
Realiteti është që ne duhet të hapim jo vetëm gjenocidin e atyre viteve që përmenden në deklaratë por ju duhet të flitni edhe për gjenocidin që ja bëtë familjes Zeqiri në Radishan. E vërteta është që ju akoma keni tendenca gjenocidale ndaj një populli të tërë kur thoni se në qoftë se doni të drejta shkoni në Tiranë, në Shqipëri. Ju keni qenë vetëm kundër kthimit të shtetit të së drejtës dhe kundër asgjëje tjetër – deklaroi Ziadin Sela, LR-PDSH.
Nga BDI-ja kujtuan edhe një herë pikat e deklaratës së përbashkët duke konsideruar se ajo nuk cenon unitetin e vendit dhe dënuan tendencën e VMRO-DPMNE-së për të penguar procesin.
Po të ishte kjo deklaratë e Tiranës ne sot nuk do të debatonim në Kuvend por ju si parti maqedonase do të ishit të obliguar të bisedonit me Edi Ramën. Dilemat duhet të hiqen dhe të mos bëhen pikë politike ditore dhe të mos rriten tensionet mes dy etniteteve shumicë të këtij vendi – tha Ejup Alimi, BDI.
Jemi duke i parë që flasin me veten kurse ne në mjekësi për ata që flasin me veten i dërgojmë në trajtim te psikologu ose te psikiatri – u shpreh Mirsada Asani, BDI.
Deputetët e BESËS vlerësojnë se sabotimi i seancës konstituive me debate dhe replika është marrëveshje mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së.
E shihni se si këto të BDI-së janë marrë vesh me këto të VMRO-DPMNE-së se si të sabotohet puna e Kuvendit. Ata u japin arsye për punën e platformës, për punën e gjuhës dhe çështjet e tjera që këta pastaj të bëjnë reagime dhe ju të akuzoheni se keni pranuar njëfarë platforme – tha Zeqirija Ibraimi, BESA.
Përzgjedhja e deputetit të BDI-së Talat Xhaferri për kryeparlamentar do të vazhdojë të mbetet pezull deri në formimin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, edhe pse paraprakisht për këtë është dorëzuar edhe një iniciativë me nënshkrimet e 20 deputetëve.
Fatlume Dervishi