Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, thotë se i vetmi aktorë politik brenda Qeverisë i cili dëshiron që Aleancën për Shqiptarët të mos e shohë më aty, që të mos e këtë në koalicion qeverisës është BDI-ja dhe Ali Ahmeti, por sqaron se ASH ndodhet në qeveri, sepse ka marrë përgjegjësi dhe se do të alarmojë nëse qeveria aktuale fillon t’i ngjajë të vjetrës, shkruan Almakos.
Lidhur me këtë deklaratë, analisti Ismet Ramadani, thotë se BDI duhet të ndryshojë praktikën e zbatuar gjatë shumë viteve, konkretisht të mos synojë që në koalicione qeveritare, të jetë e vetmja parti shqiptare.
“Unë mendoj se BDI-ja duhet definitivisht të largohet nga praktika e deri tanishme që vet si parti politike në çfarëdo qoftë koalicioni, qoftë me VMRO-DPMNE-në, qoftë me LSDM-në, le përshtypje sikur nuk do partner tjetër shqiptar, pa marr parasysh se për cilën parti bëhet fjalë. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh me vite. Në këtë moment mund të jetë vetëm spekulim, mirëpo sido që të jetë ata duhet të jenë më transparent dhe ta thonë, sepse nuk është mirë që partitë shqiptare midis tyre mos të durohen në një koalicion qeveritar ose në një qeveri reformatore, ku në start të themelimit të kësaj qeverie, ne nuk mund ta mohojmë edhe kontributin e Aleancës për Shqiptarët.
Sipas tij, pikërisht këto sjellje kanë bërë që në opinion të krijohet përshtypja se partitë shqiptare nuk e durojnë dot njëra-tjetrën në Qeveri, ndërkohë që kryeministri Zaev, është i gatshëm që t’i përfshijë në koalicion të gjitha subjektet më të mëdha politike shqiptare.
Lideri i Aleancë për Shqiptarët i ftuar në emisionin “ Rruga Drejt” ka thënë se ASH është pjesë e Qeverisë, sepse ka marrë obligime për të vazhduar reformat dhe për të qenë brenda për brenda qeverisë, për të alarmuar nëse qeveria aktuale fillon të ngjajë me të kaluarën.
Ndërkohë që pas zgjedhjeve lokale nëpër media qarkullojnë informacione për ndryshim të formatit qeveritarë. Në këto informacione flitet për përfshirjen e mundshme të PDSH-së në koalicionin qeveritar, ndërkohë që mundësitë janë të hapura edhe për Lëvizjen BESA të cilët as nuk e kanë mohuar dhe as nuk e kanë pohuar diçka të tillë, duke thënë se gjithçka do të varet nga bisedimet.
Përgtiti: Evi Shkopi
Almakos.com