Ziadin Sela mohoi zërat se ASh-ja do të bëhet pjesë e Qeverisë dhe se kishte takim Sela-Mickoski. Ai në emisionin I ftuar në Click Plus, tha se janë të gatshëm të flasin për tema politike e programore me këdo që është mandatar i Qeverisë, por siç shtoi, nuk do të flasin për ministri, por për Kushtetutën e Gjykatën Kushtetuese.
Tutje, Sela tha se “Ftesa ka përditë. Ftesa ka nga shumë aktorë politikë, por përgjigjia ime është ajo që është”.
“ASh-ja është e gatshme të falsë për tema politika, për çështje programore dhe të platformës, me këdo që është mandatar i Qeverisë. Por nga ana tjetër, më vjen mirë që e dinë aktorët politikë që ne nuk ulemi për të biseduar për ministri, por për Kushtetutën, për perspektivën eurointegruese, për Gjykatën Kushtetuese dhe badinterin në Gjykatë Kushtetuese”.
-Nëse do të kishtit një ofertë, këto do të ishin kushtet e juaja?
-“Natyrisht, këto do të ishin gjërat që duhet të diskutohen dhe pastaj mund të flitet për oferta të tjera“.
“Një qeverisje e tillë duhet të bije sa më shpejtë”, tha Ziadin Sela në Click Plus duke theksuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Siç tha Sela, qeverisja aktuale është e dëmshme dhe si e tillë nuk duhet të vazhdojë tutje.
Por çfarë pas zgjedhjeve? Sela tha se do të shihet nëse do të rivendoset balanci në kampin politik maqedonas dhe se “zgjedhjet e parakohshme do të prodhojnë politikanë shqiptarë të vendosur që do të dinë të përballen me një VMRO të fortë”.
“Unë jam në opozitë dhe opozita është ajo që çdo herë kërkon zgjedhje të parakohshme, aq më tepër kur konstatoj se kjo qeverisje është e dëmshme dhe mundohet që të zhbëjë karrierat tona”, tha Sela.
Sela theksoi se “mund ta përshëndes unifikimin e disa aktorëve politik në një organizatë të vetme, nëse kanë qëllime të pastra dhe të hajrit”, por shtoi se, “uroj që e ardhmja e VLEN-it mos të jetë e kaluara e një vjet e ca” që Sela e quajti të turpshme e me shumë servilizëm.
Sela nuk beson që VLEN- do të funksionojë si i unifikuar, pasi sipas tij, qëllimi nuk është te platforma politike dhe idealet kombëtare, por kush do të jetë kryetar.
“Uroj që mos të zhgënjehem nga urimi që unë bëra. Uroj që të jem gabim. Uroj që kjo strukturë politike të vazhdojë dhe mos të krijohen përditë struktura politike. Uroj që të na rezervojnë nga këto thirrjet në emër të ASh-së”, shtoi Sela ndër të tjera.


