Deputeti Ziadin Sela i cili është pjesë e Frontit Evropian dhe lider i njërit nga krahu i Aleancës për Shqiptarët konsideron se ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka ndikuar dhe ka kontribuar që lideri i VMRO-DPMNE-së kundërshtare dhe kryeministër aktual Hristian Mickoski të arrijë fitore absolute në zgjedhjet e dyfishta.
Në intervistën për javoren “Fokus”, Sela thekson se “mban tezën se VMRO-ja u ndihmua për të arritur pushtet absolut”, ndërsa, siç potencoi, fatkeqësisht mbështetësit dhe anëtarësia e LSDM-së në këtë rast janë viktima. Pikërisht pas nismave të bashkëpunimit midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, shton ai, “biznesmeni dhe ish zëvendëskryeministri Koço Angjushev është futur në ‘listën e zezë’ amerikane”.
“Kur flas për këto fenomene preferoj të flas për ngjarje politike dhe deklarata publike në të kaluarën. A ka pasur deklaratë midis Mickoskit dhe Zaevit gjatë fushatës dhe shtrirje dore mes tyre se do të bëjnë koalicion pas zgjedhjeve ndërmjet VMRO-së dhe LSDM-së duke përjashtuar faktorin politik shqiptar? Ndodhi në studio gjatë një fushate, në vitin 2020. Kjo është paralajmërim. Pastaj nëpër media u përhap edhe një informacion se duhet të krijohet koalicion midis VMRO-së dhe LSDM-së, me përjashtim të BDI-së derisa të bëhemi anëtare të barabartë në BE. Por, për paralajmërime të tilla ekziston rrezik. Dhe në kohën e RFSJ-së kemi pasur përfaqësues në qeveri, por ata nuk e kanë përfaqësuar popullin”, theksoi Sela.
Sipas tij, kështu është edhe tani me legjitimitetin për të cilin po flasin.
“Unë kam të drejtë të dyshoj. Të marrësh një humbës politik në mesin e shqiptarëve si pjesë e qeverisë, ndërsa pastaj të krijojë një situatë ku nuk do të të duhet një parti e organizuar në mesin e shqiptarëve, atëherë do të marrësh shqiptarë individualë, pastaj do t’u thuash shqiptarëve se keni përfaqësues në Qeveri. Kjo ide është shumë e ngjashme me atë që Zaevi e bënte”, thotë ai.
Sela njëkohësisht, “dyshon” se Zaevi ka gisht në një rast tjetër politike me interes të lartë, ndërsa e cila është arratisja e ish kryeministrit Nikolla Gruevski? Ai thekson se Guevski ka ikur në Hungari me dijeninë e Zaevit, dhe se, sipas tij, Zaevi e ka parë si problem Gruevskin për shkak të rejtingut të tij të lartë, edhe krahas asaj se në atë kohë ndaj tij kishte filluar procedurë penalo-juridike.
“Zaevit i duhej që Gruevski të arratisej ashtu siç bëri për të rënë rejtingu i tij te qytetarët dhe para anëtarësisë së tij. Mendoj se kjo i hapi rrugën Gruevskit për t’u arratisur, sepse duhej kaluar shumë vende, nuk është aq e thjeshtë ajo punë për një figurë të tillë politike”, theksoi Sela.
Ai shton se ka dëgjuar informacione se qeveria e kaluar ka dashur ta kthejë Gruevskin, por ai nuk ka qenë pjesë e planeve të tilla.