Policia Kufitare në Morinë, në bashkëpunim me Doganën, finalizoi operacionin “Tarifa”, duke goditur një rast kontrabande me mallra me akcizë në tentativë për t’u kaluar në Kosovë.
Gjatë kontrolleve në dalje të Shqipërisë, u ndaluan për verifikim dy automjete. Në to u gjetën mallra të ndryshme kontrabandë me vlerë rreth 54.3 milionë lekë, përfshirë:
930 kg duhan,
Mbi 1000 kuti me medikamente,
41 000 tableta,
2 194 celularë.
Të dy drejtuesit e automjeteve, B. L., 52 vjeç dhe F. M., 55 vjeç, banues në Kukës, u arrestuan në flagrancë për kontrabandë mallrash me akcizë dhe mallrash të tjera.
Njoftimi i policisë:
Morinë, Kukës
Finalizohet nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, operacioni policor i koduar “Tarifa”.
Goditet një rast i tentativës për të kontrabanduar në Kosovë, mallra për të cilat paguhet akcizë.
Sekuestrohen mallra të ndryshme, me vlerë totale rreth 54 350 000 lekë dhe 2 automjetet ku u gjetën këto mallra.
Arrestohen në flagrancë 2 drejtuesit e automjeteve.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kontrabandë mallrash, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Tarifa”.
Gjatë operacionit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjetin furgon me drejtues shtetasin B. L. dhe automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin F. M.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M., u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme, disa arka me 41 000 tableta dhe 2 194 celularë, ndërsa gjatë kontrollit në furgonin me drejtues shtetasin B. L., u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë totale 930 kg.
Mallrat, me vlerë totale rreth 54 350 000 lekë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me 2 automjetet.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit B. L., 52 vjeç, dhe F. M., 55 vjeç, të dy banues në Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.