Dy automjete, të dyshuara të vjedhura, janë gjetur dhe sekuestruar nga policia në fshatin Babicë e Madhe të Vlorës, që dyshohet se do të përdoreshin në një ngjarje kriminale.
Sipas policisë, dy automjetet të tipit “Nissan” dhe “Audi Q5”, të dyja me targa të huaja, u gjetën të fshehura në një sipërfaqe me ullishte. Po ashtu u gjetën dhe sekuestruan edhe tre bidona me benzinë.
Policia e Vlorës thotë se, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se këto automjete do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Automjetet dhe provat e tjera të sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore.
Njoftimi i policisë:
Vlorë-Falë punës së thelluar hetimore, Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.
Sekuestrohen dy automjete të vjedhura dhe lëndë djegëse.
Më datë 08.02.2026, strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar në informacione operative të siguruara më parë, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në aksin rrugor dhe në territorin e fshatit Babicë e Madhe, për dy automjete që dyshohej se do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje kriminale.
Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të fshehura në një sipërfaqe ullishteje, në fshatin Babicë e Madhe, dy automjete të dyshuara të vjedhura, konkretisht:
-një automjet tip “Nissan”, me targa të huaja;
-një automjet tip “Audi Q5”, me targa të huaja; si dhe 3 bidona me lëndë djegëse (benzinë).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këto automjete do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.
Automjetet dhe provat e tjera të sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore.
Grupi i posaçëm hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave si dhe për identifikimin dhe dokumentimin e autorësisë.


